Lajme Shqip Saturday, 09 July 2011 18:49

Tiranë – Ministria e Mbrojtjes synon që brenda vitit 2011 të asgjësojë 25 mijë ton municione, në zbatim të planit të veprimit për asgjësimin e municioneve të tepërta në Shqipëri.

Gjatë një komunikimi me mediat, zv/ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahiu, duke informuar për ecurinë e këtij procesi tha se gjatë muajit qershor janë demilitarizuar 2444 ton municione, që është dhe sasia më e madhe e arritur ndonjëherë brenda një muaji.

Sipas tij në 6-mujorin e parë të 2011-s janë demontuar 10.394 ton municione të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm ose 2234 ton më shumë krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit 2010.

Zv/ministri Spahiu tha se demontimi industrial dhe asgjësimi i municioneve është realizuar në 8 linja industriale, (4 linja në Mjekës, 3 linja në Poliçan dhe një linjë në Gramsh), si dhe në 8 poligone asgjësimi.

Në zbatim të marrëveshjes së nënshkruar me Agjensinë e NATO-s për Mbështetje dhe Furnizim (NAMSA) financimi i kostos së demontimit për 4 linjat industriale gjatë 6-mujorit të parë të viti 2011 është mbuluar nga NAMSA, me fonde të vëna në dispozicion të këtij procesi nga Departamenti Amerikan i Shtetit.