Tiranë – Gjykata e Lartë ka shtyrë sot, për të premten e ardhshme, seancën ndaj ish -zv/kryeministrit Ilir Meta.
Shkak për pezullimin e seancës së parashikuar për ditën e sotme, u bë mungesa për arsye shëndetësore e relatorit të çështjes, gjyqtarit Arian Dvorani.
Ish- zv/kryeministri Ilir Meta është në proces gjykimi në Gjykatën e Lartë pasi akuzohet për korrupsion nga Prokuroria e Përgjithshme.
Ish zv/kryeministri Meta është vënë nën akuzë pas publikimit në media pak muaj më parë të një video të regjistruar në mënyrë të fshehtë kundër tij, ku ai shfaqej me ish- ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, në një bisedë për disa tendera të ministrisë së Ekonomisë.
Vetë zoti Meta e ka cilësuar videon, e realizuar nga ish-ministri Prifti, si një manipulim dhe shantazh ndaj tij.