Lajme Shqip Friday, 20 July 2012 08:07

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga uroi të gjithë besimtarët myslimanë, me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit.

Në urimin e Presidentes Jahjaga thuhet: Me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, uroj të gjithë besimtarët muslimanë. Muaji i Ramazanit është muaj që kultivon paqen, dashurinë e respektin, është muaj i lutjeve dhe i reflektimit, muaj i solidaritetit dhe zemërgjerësisë midis njerëzve në gjithë globin.

Ju uroj nga zemra, ju dëshiroj agjërim të lehtë e të mbarë, lumturi e begati në familjet tuaja.

Fillimin e muajit të Ramazanit e ka uruar edhe Kryeminstri Hashim Thaçi.

Nesër fillon muaj i shenjët i Ramazanit, që është një muaj i sakrificës, adhurimit dhe solidaritetit për të gjithë besimtarët e fesë islame kudo në botë. Edhe besimtarët e fesë islame në Republikën e Kosovës e presin këtë muaj me nderim dhe përkushtim për të përmbushur obligimet e tyre fetare dhe njerëzore ndaj krijuesit dhe shoqërisë në të cilën jetojnë.

Muaji i Ramazanit, qytetarët e Republikës së Kosovës, këtë vit i gjen në angazhimet për konsolidimin e shtetit të tyre, në angazhimet për shoqërinë demokratike, tolerante dhe solidare për të gjithë. Mesazhet e sakrificës dhe solidaritetit që përcjell muaji i shenjët i Ramazanit, për qytetarët e Kosovës përkujton sakrificën, gjakun, mundin dhe angazhimin e pareshtur për lirinë dhe demokracinë e vendit tonë.

Të nderuar besimtarë,
Idealet e lirisë, solidaritetit, sakrificës dhe përkushtimit do të jenë të përhershme për Qeverinë e Kosovës, për të rritur mirëqenien e qytetarëve tanë, për të rritur sigurinë dhe zhvillimin ekonomik në shtetin tonë, për të siguruar një jetë të lumtur dhe në harmoni për të gjithë qytetarët e vendit tonë. Muaji i Ramazanit do të shërbejë si një përkujtues i angazhimeve për qytetarët e vendit tonë. Dua të ju shpreh urimet e mija për këtë Ramazan, duke ju dëshiruar agjërim të lehtë dhe përmbushje të detyrave për çdo besimtar. Dëshirojë që në këtë muaj të rahmetit, solidariteti dhe respekti në shoqërinë tonë të jetë në nivelin sa më të lartë. Uroj të gjithë besimtarët që agjërimi, lutjet dhe solidariteti të ju pranohen nga krijuesi fuqiplotë, shkruan në telegram urimi.

I nderuar myfti Ternava,
Ju përgëzojë në këtë ditë të fillimit të muajit të Ramazanit dhe dua të shpreh falënderimet e mija për bashkëpunimin e shkëlqyer të Bashkësisë Islame dhe Qeverisë së Kosovës në të mirë të të gjithë qytetarëve tanë. Zoti ju ndihmoftë juve dhe të gjithë besimtarët në përmbushjen e obligimeve dhe detyrave fetare gjatë këtij muaji të shenjët. (LajmeShqip.com)