Lajme Shqip Wednesday, 16 November 2011 19:45

Tiranë – Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me UNFPA, ka prezantuar sot Protokollet e Mjekimit për 5 sëmundjet kryesore kronike për moshën e tretë.

Protokollet klinike janë hartuar për 5 grup sëmundjesh kryesore; sëmundjet ishemike të zemrës, diabeti, osteoporoza , çrregullimet funksionale gastro-intestinale dhe shëndetin mendor. Këto udhëzime përmbajnë rekomandime për mjekët e familjes, të cilët kanë kontakt të përditshëm me të moshuarit, por edhe për mjekët e nivelit terciar për këto grupe sëmundjesh.

Gjatë prezantimit të këtyre protokolleve, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, tha se “momenti i miratimit të protokolleve klinike për 5 nozologji të sëmundjeve kryesore klinike që përfshihen në udhëzuesin e moshës së tretë është moment i rëndësishëm”. Moshimi, sipas tij, është një fenomen, i cili ka hyrë në natyrshmërinë e tij në Shqipëri.

“Në mënyrë logjike dhe fiziologjike, Shqipëria ka hyrë në komponentët e moshimit, ndryshe nga sa më parë, sepse kjo kategori tashmë është një realitet shumë i rëndësishëm, determinant dhe kërkon qasje të tjera jo naive, jo empirike, por veçse profesionale lidhur me përballimin të asaj që quhet qasja shëndetëore ndaj zgjidhjes së problemeve”, tha Vasili, sipas të cilit, me hartimin e tyre, sipas Vasilit, përfundimisht përballja me problemin bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe profesionale.