Lajme Shqip Friday, 28 September 2012 11:16

PRISHTINË – Gjatë një takimi në Nju Jork të ministrit kosovar të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, me ministrin e Punëve të Jashtme të Timorit Lindor, Jose Luis Guterres, u bë e ditur se njohja e Kosovës nga Timori Lindor është çështje ditësh dhe se ky vendim do të publikohet së shpejti.

Ministri Hoxhaj shprehu vullnetin e Qeverisë dhe popullit të Kosovës për të forcuar marrëdhëniet me Qeverinë dhe popullin e Timorit Lindor.”Njohja e Kosovës nga ky shtet do t’i hap udhë një bashkëpunimi të fuqishëm ndërmjet dy vendeve”, tha Hoxhaj në një deklaratë për media pas takimit. Sipas tij, ky shtet shumë shpejt do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Timori Lindor do të zyrtarizojë shumë shpejt njohjen e Republikës së Kosovës”, tha Hoxhaj. Ministri kosovar theksoi simpatinë e madhe që populli i Kosovës ka për popullin e Timorit Lindor, për shkak të historisë së ngjashme, që dy popujt kanë përjetuar, si dhe shprehu vullnetin e Qeverisë dhe popullit të Kosovës për të forcuar marrëdhëniet me Qeverinë dhe popullin e Timorit Lindor.

Ministri i Punëve të Jashtme i Timorit Lindor, Jose Luis Guterres, tha se, “njohja e Kosovës nga shteti i tij është çështje ditësh”, duke ritheksuar qëndrimin shumë pozitiv dhe mbështetës që Qeveria dhe populli i Timorit Lindor kanë për Kosovën dhe pavarësinë e saj. Gjatë qëndrimit në Nju Jork, ku po zhvillohet takimi i rregullt i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ministri Hoxhaj ka zhvilluar takime me shumë përfaqësues të shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, ndër të cilat edhe shumë shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ministri Hoxhaj, më 15 shtator ka zhvilluar një vizitë zyrtare në kryeqytetin e Timorit Lindor, Dili, ku është i organizuar një pritje shtetërore nga përfaqësuesit e këtij shteti. Gjatë takimeve, Hoxhaj ka marrë mbështetje dhe premtime për njohjen e shpejt të Kosovës nga ky shtet.(LajmeShqip.com)