Lajme Shqip Monday, 05 December 2011 18:45

Tiranë-Pavarësisht se kanë kaluar mbi 24 orë që nga nënshkrimi i marrëveshjes mes Beogradit dhe Prishtinës, një dokument mjaft i rëndësishëm për stabilitetin e Kosovës, më në fund edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë përshëndet marrëveshjen e arritur për menaxhimin e integruar të kufirit (IBM) në bisedimet teknike Kosovë-Serbi.

Sipas njoftimit për shtyp të MPJ-së, ky dokument vjen si shprehje e vullnetit të mirë për të bashkëpunuar në zgjidhjen e çështjeve praktike mes këtyre dy vendeve, dhe si një hap drejt integrimit të Kosovës në BE.

MPJ, përmes një deklatete për shtyp, shpreh besimin se “zbatimi sa më shpejt i marrëveshjes IBM dhe marrëveshjeve të mëparshme, të arritura me angazhimin e përbashkët të BE-së dhe SHBA-së, do të kontribuojnë në funksionimin më të mirë të sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës.

Deklarata përfundon se kjo marrëveshje ndikon në veçanti në kufirin mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, duke ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve në të dy vendet”.