Lajme Shqip Thursday, 07 July 2011 20:37

Prishtinë – Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së të ashtuquajturit ministër për Kosovën në qeverinë serbe, Goran Bogdanoviç, sipas të cilit, institucionet e Kosovës po tentojnë që përmes dokumenteve civile të shqiptarizojnë emrat serbë.

“Ky pretendim është jo racional, i pa bazuar në fakte dhe në kundërshtim me praktikën e deritanishme të pajisjes së rreth 30.500 qytetarëve të komunitetit serb me dokumente civile të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Ministria e Punëve të Brendshme shton se në përputhje me legjislacionin në fuqi do të vazhdojë të ofrojë shërbime efikase për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim, duke respektuar plotësisht identitetin e tyre personal dhe qytetar.

“Sigurojmë të gjithë qytetarët e vendit se praktika e mbrapshtë e përdorur nga regjimi serb për serbizimin e emrave shqiptarë nuk ka vend dhe nuk përsëritet në Kosovën e pavarur dhe demokratike”, thekson njoftimi për shtyp. Ministria e Brendshme fton të gjithë qytetarët e vendit që të pajisen me dokumente civile të Republikës së Kosovës dhe të drejtohen në Qendrat e Regjistrimit Civil për çdo ankesë të mundshme.