Lajme Shqip Monday, 12 August 2013 15:26

Tiranë – Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ka reaguar të hënën lidhur me situatën e krijuar pas largimit të disa familjeve rome nga trualli i ish ndërmarrjes artistike, tek kryqëzimi pranë Pallatit me Shigjeta.

Përmes një deklarate për shtyp, MPÇSSHB thekson se gjatë kësaj periudhe ka qenë në bashkëpunim me shoqatat përfaqësuese të romëve. Njëkohësisht ky institucion është treguar i gatshëm për zgjidhjen e këtij konflikti duke i akomoduar familjet rome të shpërngulura në Qendrën Pritëse Kombëtare të Rehabilitimit të Familjeve Rome që ndodhet në zonën e Sharrës, afër Kombinatit.

“Kjo sipërfaqe, me Vendim të Këshillit të Ministrave, është transferuar tek Shërbimi Social Shtetëror, ku me një buxhet të Ministrisë është nënshkruar dhe kontrata për rikonstruiksionin e shtatë godinave që ndodhen në këtë Qendër. Ministria e Punës ka një bashkëpunim të ngushtë me aktivistë të Amnesty International, me Komisioneren Antidiskriminim, me shoqatat përfaqësuese të romëve dhe institucionet e tjera ndërkombëtare, për të zgjidhur këtë problem kompleks, siç është strehimi i romëve dhe i shtresave të tjera vulnerable”, thuhet në deklaratë, raporton Ballkanweb.

Në këtë deklaratë të MPÇSSHB theksohet gjithashtu se ky institucion ka menaxhuar dhe më parë situata të tilla. Këtu përmendet situate e ngjashme e vitit 2010 ku u bë nevojë emergjente strehimi i disa familjeve rome të zhvendosura nga “Stacioni i Trenit”. 
Sipas kësaj ministrie “Qendra e Sharrës është në një sipërfaqe mbi 40 mijë metra katrorë dhe nga koordinimi i të gjitha institucioneve mund të ofrojë zgjidhje për menaxhimin e situatës së krijuar nga konflikti”, thekson ministria.

Në përfundim të deklaratës, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta u bën thirrje disa institucioneve që të mos bëhen pjesë e ndërlikimit të situatës dhe shfrytëzimit politikisht të saj.

Romët jetojnë prej mbrëmjes së të shtunës në trotuare, ku kanë improvizuar disa baraka, në mënyrë që të mbrohen nga dielli përvëlues i këtyre ditëve. Pas kësaj situate, ka pasur një deklaratë të Avokatit të Popullit, Igli Totozani, për marrjen e masave urgjente për strehimin e tyre.

“I kërkojmë Bashkisë Tiranë, Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, që nëpërmjet shërbimeve të tyre sociale dhe programeve respektive për strehim dhe ndihmë, të paraqiten urgjentisht pranë familjeve të dëbuara, për të njohur dhe administruar nevojat emergjente të pjesëtarëve të tyre. Të marrin urgjentisht masa të shpejta për të siguruar ndihmën e nevojshme emergjente dhe komplekse për këto familje, si dhe të marrin masat e duhura për të siguruar pa vonesë strehim të pranueshëm, në respekt të standardeve ndërkombëtare, të të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor”, – u shpreh Totozani.

Një ditë më parë ka reaguar edhe kompania e ndërtimit “Park Construction Albania shpk”, e cila do bëjë në këtë zonë një objekt banimi. Sipas kompanisë, familjet rome nuk janë dëbuar, por ata janë larguar me dëshirën e tyre dhe kanë rënë dakord, dhe se për çdo familje disponon mandat-pagesën që kanë firmosur. Ndërkohë që ka hedhur akuza ndaj institucionit të Avokatit të Popullit se ka manipuluar të vërtetën.

“Avokati i Popullit, gjatë gjithë kohës ka qenë në dijeni të plotë të këtyre ngjarjeve, por në mënyrë të qëllimshme ka manipuluar me deklaratat e veta opinionin publik”,- bëri të ditur kompania.