Lajme Shqip Tuesday, 14 February 2012 14:00

Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se në situata të vështira siç është kjo që po kalojnë qytetarët e Kosovës është e domosdoshme që të ketë mobilizim qytetar për ta përballuar sa më shpejt dhe sa më lehtë këtë gjendje që është e jashtëzakonshme që nuk po shpallet si e  tillë.

Si pasojë e reshjeve të mëdha të borës numri i rrugëve të bllokuara dhe shtëpive të dëmtuara vazhdon të rritet. Tashmë janë regjistruar nëntë viktima, një të zhdukur dhe dhjetra apo ndoshta edhe qindra të lënduar, kush më rëndë e kush më lehtë.

 “Duke u sjellë në mënyrë të zakonshme nuk mund të dalim nga kjo situatë. Ne i sugjerojmë Qeverisë së Kosovës që t’ju bëjë ftesë publike të gjitha kompanive private dhe qytetarëve që kanë pajisje për të larguar borën nga rrugët. Të gjithë ata që kanë eskavatorë, bagerë, buldozerë apo makineri të ngjashme duhet t’i bashkohen aksionit qytetar për të dalë nga kjo krizë që po përshkallëzohet”, thuhet në një komunikatë të Vetëvendosjes.

Sipas Vetëvendosjes, Qeveria duhet t’i mbulojë të gjitha shpenzimet e derivateve për këto mjete të qytetarëve që do të vihen në shërbim të pastrimit të rrugëve për të mundësuar qarkullimin e qytetarëve dhe daljen e tyre prej izolimit të thellë.