Lajme Shqip Sunday, 19 February 2012 12:00

Sarandë- Mijëra përdorues në nënprefekturën e Sarandës dhe Delvinë në jug të vendit, kanë ngelur pa internet dhe telefoni fikse, si pasojë e motit të keq.

Kiço Adhami, drejtor i filialit të “Albtelecom” në Sarandë, tha sot për ATSH-në se shkak i ndërprerjes së këtyre dy shërbimeve bazë, ka qenë nxjerrja jashtë funksioni e pajisjes së instaluar në Llogara.

“Ky defekt ka paralizuar komunikimin elektronik të disa mijëra përdoruesve të internetit në rajonin e Sarandës e Delvinës, deri në kufi me Gjirokastrën, përveç që nuk është mundësuar komunikimi përmes telefonisë fikse. Ndërprerja e këtyre dy shërbimeve ka nisur pas orës 17.00 të ditës së premte dhe ka vazhduar edhe sot”, tha Adhami.

Sipas tij, pranë “Albtelecom” kanë qenë të shumtë abonentët e shqetësuar nga mbetja pa sinjal interneti dhe pa sinjal në telefonat fiks të kësaj kompanie.

“Ekipet e  “Albtelecom” janë nisur drejt Llogarasë, ku ndërkohë është punuar për të bërë të kalueshme rrugën e zënë nga dëbora e rënë”, specifikon Adhami, duke shtuar se specialistët po punojnë për të mënjanuar defektin në kohë sa më të shkurtër. (LajmeShqip.com)