Lajme Shqip Saturday, 01 March 2014 18:21

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i kërkoi Dhomës së Lartë të Parlamentit që të miratojë një ndërhyrje ushtarake të Rusisë në rajonin e Krimesë. “Duke parë situatën e jashtëzakonshme që po ndodh në Ukrainë, situatë e cila po kërcënon jetët e shtetasve të Federatës së Rusisë si dhe të Forcave të Armatosura që ndodhen në territorin e Ukrainës, unë propozoj që të përdorim një ndërhyrje ushtarake në territorin e Ukrainës, derisa të stabilizohet situata social-politike e Ukrainës”, -është shprehur presidenti rus, Vladimir Putin. 

Vetëm pak orë pas kërkesës së Putin-it për ndërhyrje ushtarake në Krime, kërkesa e tij u miratua nga Moska zyrtare. Dhoma e Lartë e Parlamentit aprovoi me unanimitet kërkesën për ndërhyrje të armatosur në Ukrainë, me justifikimin e mbrojtjes së Flotës Detare në Krime, si dhe për mbrojtjen e jetës së qytetarëve rusë. 

Nga ana tjetër kryeministri i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk, i bëri thirrje Rusisë që të ndalë Forcat e Armatosura në Republikën e Ukrainës, dhe se Ukraina nuk do të bjerë pre e provokacioneve ruse. Por nuk ka qenë në një mendje me Yatsenyuk-un, kryeministri i Krimesë, Sergei Aksyonov, i cili i bëri thirrje Rusisë për ndihmë, duke nënkuptuar kështu edhe një “ndihmë” ushtarake në këtë rajon. 

“Duke marrë parasysh përgjegjësitë që unë kam për sigurinë dhe për jetën e qytetarëve të vendit tim, unë i kërkoj Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, që të ofrojë ndihmë për të sjellë paqe dhe rregull në territorin e Republikës së Pavarur të Krimesë”, -iu drejtua Sergei Aksyonov Rusisë, nëpërmjet një deklarate për mediat. 

Akuzat se Rusia po ndërhyn në Krime, duke dërguar atje gjashtë mijë trupa ushatarakë shtesë, Ukraina i bëri që të shtunën, nëpërmjet ministrit të Mbrojtjes, Peniuk.