Lajme Shqip Monday, 11 April 2011 14:05

Prishtinë – Agim Ramadani ishte jo vetëm luftëtar dhe komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por ishte edhe vizionar dhe faktor unifikues i luftës së Kosovës, u tha në akademinë përkujtimore me rastin e 12-vjetorit të rënies së Agim Ramadanit dhe dëshmorëve të Betejës së Koshares.

Me këtë rast ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu ka kërkuar që termi “kosovar” mos të përdoret për t’i dhënë kuptim tjetër, por vetëm atë kuptim që ka, si krahinë e Shqipërisë, ashtu siç është Labëria, ose Mirdita.

Moisiu ka thënë se Beteja e Koshares është ndjekur me interesim më të veçantë se betejat tjera të Kosovës, të cilat po ashtu kanë qenë të lavdishme, por kjo betejë kishte një rëndësi strategjike për faktin se kishte të bënte me komunikimin direkt ndërmjet Shqipërisë dhe pjesës së çliruar të Kosovës.

Me këtë rast, ai ka shprehur kundërshtimet e tij për tendencën për të bërë ndarje mes kombit shqiptar, duke nxjerrë termin kosovar si komb të ri.

Në këtë linjë ishte edhe veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, i cili ka shprehur hapur kundërshtimin e tij pse në këtë akademi u intonua vetëm himni shtetëror i Kosovës, e jo edhe himni kombëtar.

Ndërkaq, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, duke folur për figurën e Agim Ramadanit dhe Betejën e Koshares, ka thënë se kjo betejë, tregoi se UKÇ-ja ishte forcë kompakte, me strukturë komanduese dhe e aftë për luftë frontale.

Agim Ramadani përveç strateg lufte, ishte edhe piktor dhe poet, i cili mori edhe shpërblime ndërkombëtare. Për krijimtarinë e tij ka folur akademik Rexhep Ferri, i cili tha se pikturat dhe poezitë e Agim Ramadanit, janë art i luftës, art i jetës dhe art i vdekjes.Agim Ramadani lindi në Zhegër të Gjilanit më 3 maj të vitit 1964, ku kreu shkollën fillore dhe të mesme, ndërsa akademinë ushtarake, dega e komunikacionit, e kreu në Zagreb. Ai u mor edhe me piktorë dhe poezi, ndërkaq në vitin 1998 u bë anëtar nderi i Akademisë Evropiane të Arteve. Ishte njëri prej hartuesve të planit për thyerjen e kufirit. Ra heroikisht më 11 prill të vitit 1999.