Lajme Shqip Thursday, 17 March 2011 08:32

Tiranë – Të shqetësuar nga situata aktuale politike, “Forumi civil 2010”, i cili drejtohet nga dy ish-presidentët Alfred Moisiu dhe Rexhep Mejdani, ka propozuar dje katër pika për zgjidhjen e krizës së zgjedhjeve. Duke konsideruar problemin e zgjedhjeve si një çështje që po sjell probleme në jetën normale të vendit, profesorë dhe akademikë të shoqërisë civile dhanë mendimet e tyre për përmirësimin e sistemit aktual.

Ata kërkuan që të rikompozohen komisionet zgjedhore të të gjitha niveleve. Për këtë gjë, ata kërkojnë që kjo t’i lihet një komisioni të pavarur të caktuar nga Presidenti Republikës. Një tjetër propozimi ishte dhe firmosja nga çdo anëtar i komisioneve të një flete betimi për ta vënë atë përpara përgjegjësisë penale. Së treti, anëtarët e “Forumit Civil 2010” kërkuan eliminimin e qendrave të votimit me 300-400 banorë dhe të vendosën në qendrat e komunave.

Së fundmi, anëtarët e këtij forumi propozuan që për t’i bërë të besueshme kartat e identitetit që paraqiten nga votuesit, çdo qendër votimi të pajiset me aparat për verifikimin e tyre.

Në fjalën e mbajtur në këtë takim, ish-Presidenti Alfred Moisiu, tha se në të vërtetë koha është e shkurtër deri në zgjedhjet e ardhshme, por koha ka qenë tamam. Sipas tij, politika shqiptare është në borxh ndaj popullit, ndaj shqiptarëve dhe duhet bërë diçka duke parë se vetëm sherre po bëhen. “Me sherre dhe me të shara ku mund të shkohet? Çfarë mund të arrihet? Asgjë. Edhe për kohën që ka mbetur janë jo për amendime për Kodin Zgjedhor në tërësi sepse do punë. Vullneti politik i forcave tona politike dihet se si është, nuk ia vlen të merremi.

Po të kishim ne politikë nuk do të kishim këtë krizë disa vjeçare. Unë kam mendimin se do të jetë krizë më e thellë”, deklaroi Moisiu. Ai tha se ka pasur takime me personalitete ndërkombëtar dhe është vënë në vështirësi kur pyetej se çfarë duhet të bënin për t’i ndihmuar. Sipas tij, ne duhet të ndihmojmë veten në radhë të parë. “KQZ mund të bëhet që të ndryshohet. Jo të gjitha mund të bëhen.

Por kjo mund të bëhet. Inteligjenca jonë është e përgjumur, por duhet që të ngrehemi dhe të themi se çfarë bëni se ju kemi zgjedhur për të drejtuar vendin dhe jo për t’u tallur me ne, me qytetarët. Populli na dëgjon. Ne mendojmë se duhet shpijmë në veshin e shqiptarëve se çfarë shkon mirë dhe çfarë mund të shkojë mirë. Këto gjëra duan punë, duan kujdes dhe sakrificë”, – shprehu shqetësimin Alfred Moisiu.

Për situatën aktuale politike, ish-Presidenti Rexhep Mejdani, propozoi që veç rindërtimit të KQZ-së në këtë kohë, një vlerë të rëndësishme ka arritja e një marrëveshje politike mes partive, e cila mund të vendoset në trajtën e një shtese mbi kodin etik. Midis tyre, vijoi ai, në këtë shtesë duhet të përfshihen edhe elementë të tjera që kanë të bëjnë me mënyrën e transmetimit të mesazhit politik, burimet e financimit.

“Për kandidatët duhet të përfshihet edhe kërkesa për deklarimin e pasurisë, transparenca hap pas hapi i financimit të fushatës, donacionet, qoftë ato në nivelin e partive, qoftë të biznesit. Në fondet e përdorura duhet të deklarohen shpenzimet që dalin edhe nga xhepi i kandidatit, aq më tepër në këtë periudhë, kur gjithmonë e më tepër po ngrihet shqetësimi se në zgjedhje përfshihen edhe njerëz nga fusha e biznesit apo administrata e lartë”, – sugjeroi Mejdani.

Sipas tij, “nuk duket se do të arrihet ndonjë kompromis për ndryshimin e neneve në Kod, ndaj nëpërmjet marrëveshjes mes palëve duhet të përfshihen edhe këto elemente”. Ai theksoi se gjithçka duhet të jetë në nivelin e llogarive bankare të rregullta. “Bashkë me KQZ e riformatuar kërkohet një kontroll i shpenzimeve në fushatë, sepse mund të ndodhë që të kemi shpenzime astronomike dhe KQZ të thotë që është në rregull.

Gjithashtu para dhënies së mandatit duhet të bëhet ballafaqimi i faturave të shpenzuara nga KQZ , kjo pas ekziston rreziku që nga ai korrupsion zgjedhor të prodhohen struktura të korruptuara”, – i propozoi klasës politike ish- Presidenti i Republikës.

Propozimet e “Forumit civil 2010”

1. Rikompozimi i komisioneve zgjedhore, duke filluar nga qendrori e deri tek ato vendore, me përfaqësues nga inteligjenca, jashtë kontrollit partiak. Mendohet që komisionerë të tillë do të jenë më të përgjegjshëm më zbatimin ligjeve dhe të kërkesave të Kushtetutës. Rikompozimi i KQZ-së mund t’i lihet një komisioni të pavarur ad-hoc të caktuar nga Presidenti i Republikës.
2. Çdo anëtar i komisionit duhet të betohet solemnisht, ata të KQZ-së përpara Kuvendit, të tjerët para gjykatave të apelit, sipas rretheve që mbulojnë. Përveç kësaj, çdo anëtar komisioni duhet të firmosë një fletë betimi. Kjo nënkupton që anëtarët e komisioneve marrin mbi vete në mënyrë ceremoniale përgjegjësi penale dhe personale për zbatimin me përpikmëri të Kodit Zgjedhor.
3. Për të eliminuar defektet dhe anomalitë e vërejtura në zonat rurale, sugjerohet që qendrat e votimit që kanë 300-400 banorë, se mund të jenë realisht 50 që votojnë sepse të tjerët mund të jenë larguar, ndaj duhet që këto qendra të mos vendosen në çdo fshat, por në qendrat e komunave.
4. Për t’i bërë të besueshme kartat e identitetit që paraqiten nga votuesit, çdo qendër votimi të pajiset me aparat për verifikimin e tyre.