Lajme Shqip Thursday, 04 October 2012 11:57

Prishtinë – Kuvendi i Kosovës nuk votoi sot asnjërin nga dokumentet e paraqitura nga pozita dhe opozita për vazhdimin apo jo të privatizimit.

Mospajtimet ndërmjet zyrtarëve të PDK-së kanë qenë edhe më të dukshme sot në Kuvendin e Kosovës. Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së Adem Grabovci kërkoi nga Kuvendi që të votohen rezoluta e partive në pushtet për vazhdim të privatizimit dhe mocioni i partive opozitare kundër këtij procesi, në të kundërtën tha se kuvendi nuk mund të zhvillojë punimet.

Por kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se Kuvendi ka një rregullore të punës, e cila saktëson se rezolutat apo mocionet duhet të paraqiten në Kuvend për përkthim dhe harmonizim tetë ditë para seancës, kurse deputetëve t’u dërgohet pesë ditë përpara seancës. Ndërkaq anashkalimi i rregullores duhet të bëhet me votimin e dy të tretave të deputetëve të pranishëm. Kryetarët e Grupeve parlamentare të Vetëvendosjes dhe LDK-së nuk u pajtuan që të shmangen nga rregullorja, prandaj me kërkesë të Grabovcit, Kuvendi shkoi në pauzë. Pas pauzës deputetët e PDK-së e bojkotuan sallën, me përjashtim të  dy deputetëve.

Ismet Beqiri nga LDK-ja, tha se bojkotimi i seancës nga Grupi i PDK-së, bëhet dy herë radhazi me qëllim të caktuar. Ndërkaq kryeparlamentari Krasniqi tha se problemet e paraqitura në kuvend nuk janë probleme të brendshme të PDK-së, dhe se cështjet e ngritura dje nga ai nuk janë personale. “Jam i bindur që ajo që kam thënë është në interes të të sotmes dhe të së ardhmes së demokracisë në Kosovë”

Ndërkohë Sabri Hamiti nga LDK-ja vlerësoi se bojkotimi është problem shumë i madh dhe se në këtë mënyrë kuvendi po bëhet servis i qeverisë.

Nga ana tjetër Donika kada bujupi nga AAK-ja kërkoi që gratë deputete të marrin pjesë në samitin e gruas dhe që seanca të shtyhet për të hënën. Pas kësaj kryetari i Kuvendit vlerëoi se nuk ka kushte për vazhdim të seancës, prandaj tha se vazhdojnë javën e ardhshme..(LajmeShqip.com)