Lajme Shqip Sunday, 21 August 2011 15:15

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi nuk ishte ankuar kot se Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pushime në kohën kur një pjesë e shtetit ishte shpallur zonë e kufizuar ushtarake.

Pas aksionit policor për marrjen nën kontroll të pikave doganore në Jarinjë dhe Bërnjak, shefi i qeverisë ka pasur një plan që të kërkojë leje nga Kuvendi për të blerë pajisje të sofistikuara për Policinë e Kosovës. Bëhet fjalën për blerjen e dy helikopterëve dhe të dhjetë automjeteve të blinduara. Zyrtarë të lartë të në qeveri, por edhe zyrtarë brenda Policisë së Kosovës kanë konfirmuar se plani për përforcimin e logjistikës dhe të operativës së Policisë, që tashmë është miratuar, pritet që ditëve në vijim t’i prezantohet Kuvendit, kur ta fillojë sesionin vjeshtor të punës.

“Meqë vlera e tyre e kalon shumën e përgjithshme të buxhetit të MPB-së, atëherë në bazë të ligjeve në fuqi duhet që vendimin përfundimtar për këto blerje ta japë Kuvendi i Kosovës”, ka thënë një zyrtar qeveritar për “Koha Ditore”.

Vlera e mjeteve që planifikohen të blihen sipas tij, parashihet të tejkalojë 20 milionë euro, ndërsa buxheti vjetor i MPB-së për këtë vit është 92.6 milionë euro.

Aktualisht, Policia e Kosovës nuk e ka asnjë helikopter, ndërkohë që i ka vetëm dy autoblinda. Një nga këta autoblinda ka dalë jashtë funksionit pas dëmtimeve që ka marrë në Zupç kur njësiti special i policisë ka qenë duke kryer misionin në veri të vendit.
“Janë gjashtë pilotë karriere brenda Policisë, të cilëve u duhet vetëm një trajnim i shkurtër për t’i pilotuar tipat e helikopterëve që mund të blihen”, thotë burimi i gazetës.