Lajme Shqip Saturday, 06 July 2013 12:47

Prishtine – Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) që udhëhiqet nga Nenad Rashiqi, shumë lehtë mund të gjobitet me plot 5 mijë euro. E përveç kësaj, edhe zyrtarit të prokurimit në atë ministri, mund t’i merret certifikata për prokurim.

U kanë mbetur vetëm edhe pesë ditë deri tek këto gjoba. Ky është afati që Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) i ka dhënë kësaj ministrie, në rastin e tenderit për ndërtimin e shtëpive për komunitetin RAE të fshatit Dobravë të Ferizajt, transmeton Express.

Gjithçka nisi kur OSHP në qershor të këtij viti kishte urdhëruar MPMS’në që të rivlerësojë edhe një herë aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i shtëpive për komunitetin RAE”, për faktin se kishte vërejtur që gjatë procesit të vlerësimit nuk është respektuar Ligji për Prokurim Publik.

Por një urdhëresë e tillë, duket se nuk i bëri fort përshtypje ministrisë, më saktësisht zyrës së prokurimit të Rashqit. Ajo vazhdoi me të veten, duke mos e respektuar vendimin.

“Mosrespektimin e dëshmon fakti që autoriteti kontraktues, në këtë rast MPMS ende nuk e ka njoftuar OSHP’në lidhur me procesin e rivlerësimit të ofertave për këtë tender, ashtu siç ne kemi kërkuar në qershor të këtij viti”, është arsyetimi që OSHP ka dhënë.

Është kjo arsyeja që përveç në qershor, OSHP është detyruar edhe njëherë t’ia bëjë me dije MPMS’së urdhëresën e formës së prerë. Në të kundërtën thotë se pasojnë dënimet.

“Mosrespektimi i vendimit të 6 qershorit e detyron panelin tonë që në përputhje ligjit të vendos një gjobë prej 5 mijë eurosh për ministrinë, kurse ndaj zyrtarit të prokurimit do të jetë e obliguar të marrë vendim për marrjen e certifikatës së prokurimit për ikje të vendimit që ne kemi dhënë”.

E për t’i shpëtuar këtyre dy gjobave, ministria ka kohë vetëm pesë ditë. Ky është afati që i ka dhënë OSHP’ja, e cila thotë se nëse edhe pas pesë ditësh ministria nuk ndërmerr masa, ajo e zbaton vendimin.

“Ministria do të gjobitet me 5 mijë euro si dhe zyrtarit të prokurimit do t;i merret certifikata”.

Por si duket ministria i ka shpëtuar gjobës. Sipas publikimit që ka bërë në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ te Prokurimit Publik ministria tashmë ka anuluar njoftimin për dhënien e kontratës për ndërtimin e shtëpive për të cilat ka reaguar OSHP’ja. I ka mbetur që këtë tender vetëm ta qojë në rivlerësim, ashtu siç është urdhëruar.

Ministria kishte shpall fituese të tenderit në maj të këtij viti dy kompanitë nga Kamenica,NNP CTA dhe NNP “Perspektiva”. Vlera e kontratës ishte afër 542 mijë euro.

Por vetëm pas një muaji sipas njoftimeve që arkivohen në KRPP, ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e ka anuluar kontratën me këto dy kompani. Kontrata është ndërprerë me 21 qershor të këtij viti dhe prej atëherë nuk është hap më asnjë tender për ndërtimin e këtyre shtëpive.