Lajme Shqip Friday, 10 February 2012 20:15

Tiranë -Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e cilësoi “Aleancën Kuq e Zi” një realitet fals dhe që ushqehet nga disa media të caktuara që tregojnë interes për të.

“AK është një realitet fals, i ushqyer më shumë nga disa media të caktuara që tregojnë interes për të, ndoshta me shpresë se mund t’i prishë punë Sali Berishës. Në fakt ajo nuk ka asgjë të përbashkët me Partinë Demokratike, e cila ka lindur për të integruar Shqipërinë në BE. Ndërsa kjo lëvizje është e kundërta e aspiratës dhe qëllimit kombëtar të shqiptarëve. Ndaj dhe them që është pa bazë, pa rrënjë dhe jashtë realitetit”, u shpreh kryetarja e Kuvendit në një intervistë për Deutsche Ëelle, gjatë qëndrimit të saj në Gjermani.

Lidhur me zhvillimet në Shqipëri ajo vlerësoi klimën e re politike në parlament, duke theksuar se deputetët e opozitës tashmë i janë kthyer punës.

“Në kalendarin e punës së Kuvendit janë disa ligje me 3/5 si kodi civil, kodi penal, Gjykata Administrative. Unë uroj dhe besoj se opozita do ta nderojë marrëveshjen e saj të nënshkruar më 14 nëntor dhe do t’i bashkohet maxhorancës për të votuar ato ligje, të cilat nuk bëhen dot pa votën e saj. Ne të gjithë jemi shqiptarë, cilido grup parlamentar, nëse i ikën përgjegjësisë së tij, dëmton veten, por dhe çështjen kombëtare”, tha Topalli në intervistën e saj.