Kukës – Mjegulla karakteristike e këtij dimri sërish ka mbuluar zonën verilindore, pas dy ditëve reshjesh shiu.
Një gjë e tillë ka shkaktuar vështirësi në lëvizjen e mjeteve në të gjitha akset rrugore të këtij rajoni, gjë që ka bërë që në akset rrugore kryesore të shtohen postblloqet e policisë rrugore që u kërkojnë drejtuesve të mjeteve të lëvizin me drita të ndezura për shkak të shikimit të ulët si pasojë e mjegullës së dendur.
Ndërkohë, të gjitha akset rrugore janë të kalueshme, edhe pse pak ditë më parë në zonat e thella pati reshje dëbore.
“Të gjitha akset rrugore janë të kalueshme, por duhet treguar kujdes nga drejtuesit e mjeteve për shkak të mjegullës së dendur që ka mbuluar thuajse të gjitha akset rrugore”, thotë drejtori i ndërmarrjes së mirëmbajtjes së rrugëve, Arben Basha.
Më shumë vështirësi për lëvizjen e mjeteve ka në akset rrugore Kukës-Shishtavec, Kukës-Bushtrisë, Kukës-Qafë Mali, Qafë Mali-Bajram Curri, për shkak të shtresave të akullit ende të pranishme.