Lajme Shqip Tuesday, 26 July 2011 12:22

Mitrovicë (E MARTË, 2 GUSHT), 10:21 – Përmes një kumtese për media, komanda e KFOR-it ka konfirmuar se në veri të Kosovës janë të vendosur snajperistë serbë.

KFOR ka rikonfirmuar megjithatë përkushtimin e tij për vendosjen e ligjit në Kosovë dhe për t’u ballafaquar me snajperistët dhe huliganët serbë në veri.

Për këtë arsye, një forcë e mjaftueshme e këmbësorisë së blinduar të KFOR-it, ndodhet në veri, e gatshme për t’u ballafaquar me çdo lloj konflikti që mund të shfaqet.

********************************

Prishtinë, 21:58 – KFOR-i bëri të ditur sonte se nuk ka asgjë të re në veri të Kosovës.

“Situata është relativisht e qetë, por ende e tensionuar”, thuhet në komunikatën e dhënë në këto orë të mbrëmjes nga komanda e KFOR-it.

Bëhet e ditur se trupat e KFOR-it i kanë nën kontroll dy pikat e kalimit kufitar në Jarinje (Porta 1) dhe Bërnjak (Pika 31).

“Ata patrullojnë dhe kontrollojnë zonën e Zubin Potokut dhe në vendet tjera në veri”, përfundon komunikata.

********************************

Mitrovicë, 17:27 – Burime të portalit konfirmojnë se Borko Stefanoviq, nëse lajmërohet në cilëndo nga pikat kufitare të Republikës së Kosovës, do të arrestohet, për shkak se ka hyrë ilegalisht.

********************************

Mitrovicë, 16:43 – Zyrtarë të Komunës së Mitrovicës, të ndihmuar me logjistikën e FSK-së, kanë nisur sot ndihma ushqimore për shqiptarët në veri.

Kamionin e FSK-së me artikuj ushqimorë, i cili ka qarkulluar nëpër rrugë malore, e ka shoqëruar vetë kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati, i cili ishte në krye të delegacionit.

Në pamundësi për të arritur deri në fshatrat Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë, për shkak të rrugës së pakalueshme për kamion, banorët ishin organizuar me disa traktorë për të marrë ndihmat ushqimore të siguruara nga komuna, në thellësi të asaj rruge.

********************************

Mitrovicë, 14:28 – Sipas raportimeve të fundit nga terreni, huliganët serbë kanë vendosur sërish barrikadë në Leposaviq.

********************************

Prishtinë, 13:25 – Kreu u qeverisë dhe njëherit kryesues i Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka ftuar sot ugjentisht këtë mekanizëm. Këshilli i Sigurisë së Kosovës aprovoi rekomandime të rëndësishme për agjencitë shtetërore të sigurisë të Republikës së Kosovës

********************************

Mitrovicë, 12:39 – Zëdhënësi i KFOR-it e ka demantuar lajmin për takimin e mundshëm midis Borko Stefanoviqit dhe Goran Bogdanoviqi, pasi, sipas tij, Komandanti Buhler konsideron se hyrja e tyre ilegale nuk është e pranueshme.

********************************

Mitrovicë, 12:23 – Raportohet se Komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler, do të takohet sot në Zveçan, për bisedime, me Borko Stefanoviqin dhe Goran Bogdanoviqin.

********************************

Mitrovicë, 12:14 – Raportohet se përmes transportit me furgonë, buka po hynë nga Serbia në Kosovë, nëprmjet pikës kufitare në Jarinjë.

********************************

Mitrovicë, 11:24 – Në Zubç dhe në aksin rrugor Leshakë-Jarinjë, KFOR ka larguar barrikadat, kanë bërë të ditur burime të Portalit LajmeShqip.com.

Ndërkohë, edhe kapiteni Hans Wichter ka thënë të hënën se paqëruajtësit e NATO-s i kanë hequr së paku tri barrikada të vendosura nga serbët në Veriun e Kosovës.

Kurse, një reporter i AP-së ka raportuar se ka parë paqëruajtësit portugezë dhe hungarezë përballë një barrikade me së paku 200 serbë.

********************************

Mitrovicë, 09:30 – Bëhet e ditur se pas hapjes së pikave kufitare për qarkullim të automjeteve Veriu është furnizuar me gjëra të ndryshme ushqimore. Gjendja është e qetë, por e tensionuar dhe e paqëndrueshme.

Pritet që sot në Kosovë dhe në Serbi të të qëndrojë Robert Kuper, përfaqësues i Bashkimit Evropian në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

********************************

Mitrovicë, 07: 59 – Mediat serbe raportojnë se Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi e ka kërcënuar ekipin negociator të Serbisë me burgosje pasi Stefanoviq dhe Bogdanoviq kanë hyrë ilegalisht në Kosovë. Portali LajmeShqip.com, pas mesnatës ka raportuar se hyrja e tyre është bërë në rrugët e Rashkës, pasi janë refuzuar të hyjnë në Kosovë derisa nuk kanë poseduar dokumentacionin e nevojshëm të qeverisë së Kosovës, gjegjësisht lejen nga Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) në Kosovë.

********************************

Mitrovicë, 00:20 – Burimet e Portalit nga terreni njoftojnë se Borko Stefanoviq dhe Goran Bogdanoviq janë parë te barrikadat e huliganëve serbë, në Zveçan. Nuk dihet qartë kah kanë hyrë ata në Kosovë pasi që iu ishte refuzuar hyrja më herët. Dyshohet se hyrja e tyre është bërë përmes rrugës së Rashkës.

********************************

Mitrovicë (E HËNË, 1 GUSHT), 00:06 – Burimet e Portalit LajmeShqip.com konfirmojn ë se hyrja i është refuzuar edhe Goran Bogdanoviqit pasi këta nuk kanë dokumentet e duhura nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

********************************

Mitrovicë, 21:51 – Burime të Portalit LajmeShqip.com konfirmojnë se Borko Stefanoviqit i është refuzuar hyrja në Kosovë për shkak të mosposedimit të lejes hyrëse. Ndërsa Bogdanoviqit i është lejuar hyrja dhe qëndrimi, për shkak se ai është shtetas i Kosovës.

Ndërkohë që burimet theksojnë se pika kufitare G1 në Jarinjë është hapur për qarkullim të automjeteve të vogla. Ndërkohë që mbetet në fuqi ndalesa për transportuesit komercial.

*********************************

Mitrovicë, 20:43 – Sipas burimeve të Portalit LajmeShqip.com aktualisht në G31 bëhet e ditur se janë prezentë 6 policë të rëndomtë shqiptarë të Policisë Kufitare dhe 4 doganierë shqiptarë. Këta janë të vendosur pas ndërmarrjes së aksionit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e kontrollit në veri.

Ndërkohë, burime të portalit bëjnë të ditur po ashtu se Qeveria e Serbisë ka nxjerrë vendim për mosshërbim me pije alkoolike të strukturave paralele serbe, me qëllim të ruajtjes së gjendjes së njerëzve.

*********************************

Mitrovicë, 19:58 – Burime të Portalit LajmeShqip.com kanë bërë të ditur se Komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler, në Pikën kufitare G31, para pak momentesh e ka përfunduar një takim me Borko Stefanoviqin dhe Bogdanoviqin, të cilët kanë qëndruar në atë pjesë të Kosovës.

Pika kufitare G31 është lëshuar për qarkullim për automjetet e vogla.

Raportohet se Stefanoviq dhe Bogdanoviq janë kontrolluar në hyrjen kufitare në Bërnjakë, G31, ashtu sikurse i janë nënshtruar kontrollit edhe andej kah janë kthyer sërish në Serbi, në pikën kufitare G1, në Jarinjë.

*********************************

Mitrovicë, 16:01 – Gazeta beogradase “Blic” ka raportuar sot se i ashtuquajturi ministër serb për Kosovën Goran Bogdanoviq, dhe shefi i ekipit të bisedimeve, Borko Stefanoviq, mund të arrestohen nëse hyjnë në Kosovë.

Megjithatë, janë paralajmëruar negociata të tjera midis komandantit të KFOR-it, Erhard Buhler dhe dy përfaqësuesve serbë. Nuk është bërë e ditur se kur do të zhvillohen këto negociata.

Borko Stefanoviq ka deklaruar se nuk i përcjellë me vëmendje raportimet për arrestimin e mundshëm të tij.

*********************************

Mitrovicë, 15:07 – Forcat e KFOR-it kanë zhbllokuar sot rrugët sekondare në Zubin Potok, është bërë e ditur përmes një komunikate të KFOR-it.

“Qëllimi i këtij operacioni është përmirësimi i qasjes së qytetarëve të Kosovës në rrugën kryesore dhe rivendosja e lirisë së lëvizjes në afërsi të Zubin Potokut”, thuhet në komunikatë.

KFOR-i ka bërë të ditur se aksioni është kryer në koordinim të afërt me EUEX-in dhe ka “kaluar pa kurrfarë pengimi”.

Barrikadat në rrugë janë vënë nga serbë lokalë si reagim ndaj aksionit të Qeverisë së Kosovës për futjen nën kontroll të pikave kufitare 1 dhe 31 në veri të vendit.

Sipas, forcave të KFOR-it, aktualisht “situata në përgjithësi në Kosovë është e qetë”.

*********************************

Prishtinë, 14:03 – Bashkimi Evropian, bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi, duhet t’i thonë Beogradit se kështu nuk vazhdohet më. Beogradi po i mbështetë kriminelët dhe mafiozët në veri të Kosovës dhe po e pamundëson integrimin e tyre në shtetin e Kosovës, ka thënë eurodeputetja dhe ekspertja për Ballkanin, Doris Pack.

Jarnija dhe Bërnjaku duhet të vihen nën kontroll të plotë të strukturave të Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it, por është Beogradi që po e pamundëson këtë, përmes mbështetjes së kriminelëve dhe të mafiozëve në veri të Kosovës, ka thënë ajo.

*********************************

Beograd, 13:35 – “SHBA nuk ka qëndruar pas aksionit të Qeverisë së Kosovës në veri”, ka thënë për mediat serbe ambasadorja e SHBA-së në Beograd, Meri Uorlik.

Sipas saj, qeveria e ka ndërmarrë vetë aksionin dhe jo në koordinim me komunitetitn ndërkombëtar e as me SHBA-të.

“Ai vendim është marrë vetëm nga ana e Prishtinës dhe SHBA-të shprehin keqardhje për krejt atë që ka ndodhur në javën e kaluar në Kosovë”, tha Meri Uorlik.

Ambasadorja Uorlik ka ftuar Beogradin dhe Prishtinën që të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme, e cila mundëson lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.

Pages: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11