Lajme Shqip Tuesday, 26 July 2011 12:22

Prishtinë (E ENJTE, 4 gusht), 09:30 – Janë takuar mbrëmë vonë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler. Ata janë takuar menjëherë pas lëshimit të komunikatave – asaj të KFOR-it për marrëveshjen me Stefanoviqin dhe asaj të Qeverisë së Kosovës, për mospranimin e kësaj marrëveshjeje.

Kryeministri Thaçi dhe gjenerali Buhler, në orët e vona të mbrëmjes kanë zhvilluar konsulta lidhur me zhvillimet e orëve të fundit, rreth situatës në veri të Kosovës dhe angazhimeve të KFOR-it për debllokimin e rrugëve dhe kontrollimin e plotë të pikave 1 dhe 31, thuhet në një njoftim zyrtar të Qeverisë së Kosovës.
”Është konstatuar se nuk ka kthim prapa, do të vazhdojë kontrolli i plotë i pikave 1 dhe 31 dhe domosdoshmëria për heqjen e bllokadave rrugore dhe krijimin e plotë të kushteve të sigurisë për të gjithë qytetarët në veri”, thuhet në njoftimin rreth takimit, ndërkohë që bëhet e ditur se “konsultat shtesë do të vazhdojnë edhe sot”.

***************************

Prishtinë, 23:57 – Përmes një komunikate për media, Qeveria e Republikës së Kosovës, të mërkurën e ka kundërshtuar menjëherë, pak çaste pas publikimit të saj, draft-marrëveshjen midis komandantit të KFOR-it, Erhard Buhler dhe Borisllav Stefanoviqit.

Në kumtesën e saj, Qeveria e Kosovës “e vlerëson të papranueshme draft-marrëveshjen e prezantuar në opinion, të arritur në mes të Gjeneralit të KFOR-it, Erhard Buhler dhe zyrtarit serb, Stefanoviq, të përmbledhur në tri pika”.

”Qeveria e Republikës së Kosovës, duke respektuar në plotni Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur e autonom në vendimmarrje, njofton opinionin publik vendor dhe ndërkombëtar se kjo draftmarrëveshje është e papranueshme për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe e parealizueshme në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në kumtesë.

Qeveria e Republikës së Kosovës, gjithashtu, ka bërë të qartë se “do të respektojë në përpikëri masat e reciprocitetit me Serbinë”.

Kumtesa sqaron se “Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret përpjekjet e KFOR-it për zhbllokimin e rrugëve dhe krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, detyra këto në përputhje me mandatin që e ka KFOR-i”.

”Për Kosovën nuk do të ketë kthim prapa në gjendjen e para 25 korrikut”, thuhet në fund të kumtesës së Qeverisë së Kosovës. (LajmeShqip.com)

*******************************

Prishtinë, 21:31 – Përmes një komunikate për media, të lëshuar para pak çastesh, Komanda e KFOR-it ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes midis komandantit Erhard Buhler dhe Borko Stefanoviqit. Kumtesa konfirmon, ashtu siç ka raportuar paraprakisht portali LajmeShqip.com, se është arritur marrëveshja për qarkullim të kamionëve, kryesisht me mallra humanitare dhe me peshë deri në 3.5 ton.

“Sipas marrëveshjes, automjetet, kamionët deri në 3.5 tonelata peshë dhe kamionët me mallra humanitare, përfshirë ushqimin, mund të kalojnë pas një kontrolli dhe kërkimi për armë, ndërsa bllokadat e rrugëve do të hiqen dhe do të rivendoset liria e lëvizjes”, thuhet në kumtesë.

******************************

Mitrovicë, 21:15 – Burime të Portalit LajmeShqip.com, nga veriu i Kosovës, kanë mësuar, jozyrtarisht, se nga takimi midis komandantit të KFOR-it, Erhard Buhler dhe Borisllav Stefanoviqit janë shënuar përparime rreth mundësisë që “në pikat kufitare 1 dhe 31 të ketë policë serbë dhe shqiptarë”.

Mësohet, gjithashtu jozyrtarisht, të jetë liruar qarkullimi në këto pika kufitare i kamionëve me mallëra (kryesisht barna), me peshë deri në 3.5 ton.

Takimi ende po vazhdon.

******************************

Mitrovicë, 20:41 – Komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler, në këto momente ka nisur një takim me Borisllav Stefanoviqin dhe Goran Bogdanoviqin, në kampin “Nothing Hill”, në Leposaviq, bëjnë të ditur burime të portalit LajmeShqip.com.

******************************

Prishtinë, 18:26 – Mësohet se kanë arritur një pjesë e kontingjentit të trupave shtesë të NATO-s në Kosovë. Shtatë qind trupa të Gjermanisë dhe Austrisë do të zbarkojnë në Kosovë pas përkeqësimit të situatës në veri.

******************************

Prishtinë, 14:25 – Mimoza Kusari-Lila, Zv/kryeministre dhe ministre e Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, tha sot në takimin qeveritar se “gjashtë kompani vendore po e furnizojnë veriun, kurse Beogradi po bën propagandë kur po e përmend krizën humanitare”. Kërkesa për konsum vendor është rritur 10 %, tha ajo.

Prishtinë, 14:21 – “Zyrtarët serbë po futen në mënyrë klandestine në Kosovë. Ata janë cenuesit e të drejtave të njeriut. Ata shihen të shoqëruar nga paramilitarë dhe ne i mbajmë përgjegjës për atë që ka ndodhur në Veriun e Kosovës”, tha kryeministri kosovar.

Prishtinë, 14:17 – Kryeministri Hashim Thaçi, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ka deklaruar se Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare kanë tashmë qëndrim të përbashkët, se nuk ka kthim në gjendjen e para 25 korrikut. “Këtë na konfirmoi sot Brukseli”, ka thënë kreu i Qeverisë.

***********************************

Mitrovicë, 13:21 – Pas hulumtimeve të bëra në terren, burimet e portalit LajmeShqip.com kanë njoftuar se Borko Stefanoviq dhe Goran Bogdanoviq, të shoqëruar nga një diplomat rus i akredituar në Beograd, kanë takuar përfaqësuesit e strukturave paralele serbe, të ashtuquajturin kryeshef i qarkut të Mitrovicës Radenko Nedelkoviq, kryetarin e Mitrovicës Krstimir Pantiq, atë të Zveçanit, Dragisha Pantiq, atë të Leposaviqit Branko Niniq, dhe atë të Zubin Potokut, Sllavisha Ristiq.

Zyrtarët e Beogradit u kanë thënë vartësve të tyre se deri të premten, në orën 24:00, barrikadat duhet të hiqen, ndërsa serbët lokalë, raportohet të kenë kundërshtuar heqjen e barrikadave, duke e kushtëzuar atë me mosprezencën e policisë dhe të doganierëve në Veri.

Ndërsa, KFOR-i i ka identifikuar mbi 92% të çerdheve të snajperistëve serbë dhe në rast të ndonjë operacioni nga ajri, me anë të helikopterëve, ata do të asgjësohen.

Gjithashtu, edhe brenda qytetit të Mitrovicës helikopterët janë 24 orë në ajër, duke e vëzhguar situatën dhe lëvizjen e serbëve të armatosur dhe snajperistëve.

*************************************

Mitrovicë, 09:51 – Huliganët serbë në barrikadën në Rudare e kanë vendosur një kryq të metalit, të gjatë mbi shtatë metra.

*************************************

Mitrovicë, 09:17 – Snajperistët serbë po i mbajnë nën survejim ushtarët e KFOR-it në të dy pikat kufitare, Jarinje dhe Bërnjak, bëjnë të ditur burime të Portalit Lajme Shqip.com. Snajperistët serbë e kanë nën vëzhgim 24-orësh edhe Kampin Ushtarak të KFOR-it Nothing Hill dhe pikat e kontrollit. Po ashtu, snajperistë vërehen edhe në ndërtesat në veri të Mitrovicës, që e mbulojnë në rreze veprimi 40 për qind edhe jugun këtij qyteti.

*************************************

Mitrovicë (3 GUSHT), 09:05 – Nata në veriun e Kosovës ka kaluar e qetë, por shumë e tensionuar. Grupe të armatosura serbësh, të përkrahur direkt nga Qeveria e Beogradit, i kanë ruajtur barrikadat. Po këto grupe me armë janë parë edhe në afërsi të pikëkontrollit të KFOR-it, në Rudare.

************************************

Mitrovicë, 20:05 – Në këto momente u konfirmua se Buhler dhe përfaqesuesit serbë, Borko Stefanoviq e Goran Bogdanoviq, janë në takim në kampin e KFOR-it në Nothing Hill, 2 kilometra në Jug të Leposaviqit.

************************************

Mitrovicë, 19:47 – Erhard Bühler në këto momente është duke biseduar me Borko Stefanoviqin në fshatin Soçanicë të Komunës së Leposaviqit, që gjendet mes Zveçanit dhe Leposaviqit.

************************************

(Portali e ndërpret transmetimin live të intervistës, për shkak të zhvillimeve në terren. Atë të plotë do ta japim pas pak)

19:46: “Vendimi i Kosovës është, gjithashtu, joligjor sipas CEFTA-s. Ne e kuptojmë se Kosova don reciprocitet, por duhet të themi se as Serbia dhe as Kosova nuk kanë nevojë për këta hapa”.

19: 43: “Në pikëpamjen tonë embargo të cilën e ka imponuar Serbia ndaj Kosovës, është joligjore”.

19:41 – “Është me rëndësi për Qeverinë e Kosovës të punojë me partnerët e saj, jo vetëm me Amerikën, por edhe me KFOR-in”, tha Countryman.

Prishtinë, 19:39 – Ndihmësekretari amerikan i Shtetit, direkt në RTK. “Sovranitetin e Republikës së Kosovës e respektojmë dhe ne ndajmë qëllimin se ky sovranitet duhet të zbatohet në tërë territorin e Kosovës”.

*****************************

Mitrovicë, 17:11 – Huliganët serbë e kanë mbyllur rrugën në drejtim të fshatrave shqiptare Bistricë dhe Cerajë.

Ata i kanë bllokuar këto rrugë në dy pikat, përmes të cilave këto fshatra lidhen me rrugën Mitrovicë-Leposaviq.

Sipas burimeve, shkak për këtë mbyllje është hapja e rrugës përmes Shalës së Bajgores për fshatrat shqiptare të Leposaviqit.

**********************************

Prishtinë, 16:09 – Pas largimit të Cooper-it, shefi i AKI-t vazhdon të qëndrojë në qeveri.

Burimet tona bëjnë ditur se qeveria do të ketë mbledhje të jashtëzakonshme në orën 17:00.

**********************************

Prishtinë, 16:05 – Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për bisedimet, Robert Cooper, sapo ka dalë ka takimi me kryeministrin Hashim Thaçi.

Nuk ka pasur deklarim për media, nga asnjëri.

Burime të portalit brenda takimit bëjnë të ditur se kryeministri Thaçi ia ka përcjellë ndërmjetësit Cooper vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës, për të shtrirë ligjshmërinë dhe sovranitetin në mbarë territorin.

**********************************

Prishtinë, 15:41 – Tani në Qeveri është parë duke hyrë edhe shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, për të raportuar për informatat e fundit.

Ambasadorët e Quintit sapo u larguan.

Pas takimit Thaçi dhe Cooper nuk do të prononcohen për opinion.

**********************************

Mitrovicë, 15:33 – Serbë të armatosur shihen duke qëndruar në afërsi të barrikadave në Rudare dhe Zupçë, deri sa ushtarët e KFOR-it janë në rrugë. Serbët e armatosur janë 50-100 metra largësi në male.

Burimet tona kanë parë grupe të serbëve të armatosur dhe janë identifikuar se nga armët që bartin janë “Kallashnikov AK-47”.

Ndërsa KFOR-i është duke u rigrupuar dhe duke u riorganizuar në terren.

**********************************

Mitrovicë, 15:19 – Burimet e portalit raportojnë se komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler, ishte në Urën e Ibrit, në Mitrovicë, por refuzoi të takojë Borko Stefanoviqin dhe Goran Bogdanoviqin.

**********************************

Mitrovicë, 14:25 – Zëdhënësi i KFOR-it ka deklaruar për Reuters se kanë kërkuar së paku një batalion të trupave shtesë nga NATO-ja, pasi situata në veri të Kosovës është përkeqësuar pas aksionit të forcave speciale të Policisë së Kosovës.

**********************************

Mitrovicë, 14:21 – Borisllav Stefanoviq ka deklaruar para barrikaduesve të rrugëve në Rudare afër Zveçanit se “këtu nuk është geto, por është Serbi”

**********************************

Mitrovicë, 14:10 – Një burim nga veriu i ka konfirmuar portalit se në Jarinjë nuk ka prezencë të shqiptarëve në pikën kufitare.

**********************************

Prishtinë, 13:39 – Burimet e portalit konfirmojnë se në këto momente në Qeverinë e Kosovës ka arritur edhe Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jan Cliff.

Bëhet e ditur se kryeministri Thaçi do t’i takojë të gjithë përfaqësuesit e Quintit, për të gjetur zgjidhjen derisa Robert Cooper të qëndrojë në Kosovë.

**********************************

Mitrovicë, 13:25 – Raportimet e fundit nga terreni, kanë bërë të ditur për Portalin LajmeShqip.com, se të dy përfaqësuesit serbë që hynë mbrëmë ilegalisht në Kosovë, Borisllav Stefanoviq dhe Goran Bogdanoviq, po kërkojnë me çdo kusht takim me komandantin e KFOR-it, Erhard Buhler.

Ata, momentalisht, ndodhen në Leposaviq.

*********************************

Mitrovicë, 13:17 – Universiteti serb në veri iu ka lëshuar indeksa grupeve të armatosura serbe, për të dëshmuar kinse ata janë studentë e jo kriminelë të armatosur, nëse këta persona ndalen apo legjitimohen nga strukturat e rendit, Policia e Kosovës apo KFOR-i, kanë bërë të ditur burime të Portalit LajmeShqip.com brenda strukturave të rendit.

*********************************

Prishtinë, 13:06 – Cooper sapo hyri në ndërtesen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Burimet tona thonë se do të ketë takim me Thaçin. Cooper ka qenë i shoqëruar nga Fernando Gentilini

*********************************

Prishtinë, 12:47 – Burime të portalit LajmeShqip.com konfirmojnë se në këto momente ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, sapo e ka përfunduar një takim në Qeverinë e Kosovës, me kryeministrin Hashim Thaçi.

Besohet se ai e ka koordinuar me Qeverinë e Kosovës qëndrimin që këta të fundit duhet ta mbajnë gjatë takimit të sotëm me ndërmjetësin e BE-së, Robert Cooper, që po qëndron në Prishtinë.

********************************

Mitrovicë, 11:44 – Pas mbylljes së Jarinjës, e tërë kontrabanda serbe po bëhet përmes pesë fshatrave kufitare myslimane Rvatska, Beberishtë, Kalim i Epërm dhe Kalim i Poshtëm të Komunës së Leposaviqit.

Banorët thonë se janë të shqetësuar me lëvizjet e makinave dhe të njerëzve të armatosur që po hyjnë nga Serbia në Kosovë, ngase myslimanët e këtyre anëve, sipas tyre, nuk ka kush t’i mbrojë.

Vitin e kaluar, grupe huliganësh serbë, të përkrahur nga MUP-i i Serbisë, e ekzekutuan në pusi Shefko Sallkoviqin, udhëheqësin e myslimanëve në Podstenje të Leposaviqit.

********************************

Mitrovicë, 11:31 – Banorët myslimanë të brezit kufitar Kosovë-Serbi, të pesë fshatrave Rvatska, Beberishtë, Kalim i Epërm dhe Kalim i Poshtëm të Komunës së Leposaviqit, kanë shprehur shkallë të lartë shqetësimi për lëvizjen e shumtë të makinave dhe të njerëzve të armatosur që po hyjnë nga Serbia në Kosvë, thonë burime të Portalit LajmeShqip.com.

Pages: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11