Lajme Shqip Tuesday, 26 July 2011 12:22

Mitrovicë, (E PREMTE, 29 korrik) 00:05 – Burime të Portalit LajmeShqip.com, të afërta me KFOR-in, gjurmëve të informacionit se në veri ka pasur të shtëna në drejtim të pjesëtarëve të KFOR-it, kanë konfirmuar se kjo e dhënë nuk qëndron.

Huliganë dhe kriminelë serbë, në turma të ndryshme, kanë shtënë në ajër në veri të vendit, por jo në drejtim të ushtarëve të KFOR-it.

Gjithashtu, konfirmohet se nuk ka as barikada dhe bllokada të tjera, siç kanë thënë disa media, se janë ngritur në këto momente rrugëve të veriut.

Bëhet e ditur se kriminelë e vagabondë serbë të shpërqëndruar sillen në afërsi të perimetrit të zonës së kufizuar ushtarake, të shpallur nga KFOR-i, dhe kohë pas kohe shtiejnë në ajër, por jo në drejtim të KFOR-it.

Gjithashtu, pjesëtarët e njësive speciale të Policisë së Kosovës, përfshirë edhe atë FTI, tashmë janë shpërndarë në qendrat e tyre, pas konstatimit se nuk është e nevojshme përfshirja e tyre në veprime të tjera në veri. (LajmeShqip.com)

*********************************

New York, 22:02 – Duket t’i jenë ngatërruar edhe më shumë hesapet Serbisë, në përmbyllje të ditës së tretë të përballjes me operacionin e nisur te kufiri verior i Kosovës e që po mbaron në OKB.

Disfata ka nisur që në start. Raportohet se ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, pasi pati probleme për ta kapur linjën e aeroplanit për New York, është përballur edhe me një tjetër problem.

Ai, sipas të gjitha gjasave, nuk do të lejohet të marrë pjesë në mbledhjen e mbyllur të KS të OKB-së. Këtë e ka thënë vetë Jeremiq.

Jeremiq ka thënë se mbase atij nuk do t’i lejohet të marrë pjesë, apo të paktën t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit, pasi mbledhja është e formës konsultative dhe e mbyllur, andaj edhe ka caktuar një takim me Ban ki Munin.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së, sonte në orën 21:00, i ka nisur konsultimet parapa dyerve të mbyllura për situatën në Kosovë, kurse për në orën 22 e 30 minuta ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq ka të caktuar një takim me sekretarin e përgjithshëm të KB-ve, Ban ki Mun.

*********************************

Prishtinë, 20:45 – Policia e Kosovës do të drejtohet nga Shpend Maxhuni edhe zyrtarisht. Sipas burimeve, në këto caste njoftohet se Kryeministri Hashim Thaçi e ka emëruar edhe zyrtarisht Maxhunin Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

*********************************

Prishtinë, 20:35- KFOR-i i ka shpallur dy pikat kufitare në veri të vendit zona të kufizuara ushtarake dhe ka kërcënuar se do të përdorë forcë vdekjeprurëse. Ky reagim i KFOR-it erdhi pas shpërthimit të dhunës natën e së mërkurës kur të rinj serbë i futën flakën pikës 1 dhe qëlluan me armë zjarri ndaj trupave të KFOR-it.

“Nuk mund të përjashtoj ndonjë përpjekje tjetër, por natyrisht, të dyja portat janë shpallur si zona të kufizuara ushtarake ndërsa rregullat për të shtënë janë shumë të qarta”, ka thënë Erhard Buhler, në një intervistë për Reuters.

“Ushtarët mund të përdorin forcë vdekjeprurëse, mund t’i përdorin armët e tyre për tu vetëmbrojtur, për të mbrojtur të gjithë njerëzit, për ta mbrojtur pronën, zonën e kufizuar ushtarake. Askush që nuk është i autorizuar të punojë në porta apo t’i kalojë portat, nuk guxon të jetë pranë portave”, ka thënë Buhler.

*****************************

Mitrovicë, 20:12 – Siç pati raportuar Portali LajmeShqip.com, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, ROSU, pas hyrjes në Lagjen e Boshnjakëve ka vëzhguar gjendjen dhe ka siguruar se aty është gjithçka e qetë.

Pas qëndrimit për rreth tre orë në Lagjen e Boshnjakëve, Njësia Speciale ROSU është tërhequr nga aty.

Burimet konfirmojnë se policët kanë qenë nga Njësia ROSU e regjionit të Mitrovicës.

*********************************

Prishtinë, 18:59- Ministri kosovar i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi deklaroi se do të fillojë hetimi në lidhje me djegien e vendkalimit Jarinjë, në veri të Kosovës.

Rexhepi në një deklaratë për Tanjug, tha se hetimi do të ngrihet, e këtë me siguri do ta bëjë njësia hulumtuese rajonale e policisë dhe se mbetet të shihet nëse këtë do ta bëjë vetë ose në bashkëpunim me EULEX-in.

Situatën në veri të Kosovës Rexhepi e vlerësoi si të tensionuar, duke shtuar se mendon që KFOR-i është i vendosur së bashku me policinë e Kosovës dhe EULEX-in ta qetësojë situatën, qytetarëve t’ua kthejë jetën normale dhe të vendosë rendin dhe ligjin.

Ai, gjithashtu, deklaroi se policia e Kosovës është e gatshme dhe se do të reagojë përderisa situata këtë e kërkon, por se ka besim të plotë në forcat e KFOR-it dhe të EULEX-it.

Rexhepi iu bëri thirrje qytetarëve të veriut të Kosovës që të mbeten të qetë dhe të mos mashtrohen në thirrjet e grupeve të ndryshme kriminele, sepse në këtë mënyrë bëhen viktima.

Tensionet nuk janë në interes as të serbëve, e as të shqiptarëve, vlerësoi Rexhepi.

*********************************

Mitrovicë, 17:17 – Situata e sigurisë në veri të Mitrovicës aktualisht është e qetë. KFOR-i kabërë të ditur se po mban nën kontroll dy pikat kufitare dhe se ka marrë në përgjegjësi komandimin në këto pika. Ndërkohë, Policia e Kosovës njoftoi se policët dhe doganierët janë të pranishëm në pikat kufitare 1 dhe 31.

KFOR-i ka marrë përgjegjësinë e komandimit në kalimin kufitar të pikës doganore të Jarinjes (Porta 1) dhe në Bërnjak (Porta 31). KFOR-i njofton sePorta 1, në Jarinje, është mbyllur.

“Infrastruktura është rëndë e dëmtuar dhe do të mund të shembet, gjë që paraqet rrezik të madh për njerëzit. Automjete të vogla private mund të kalojnë kufirin në rrezik të tyre”, ka kumtuar KFOR-i.

Megjithatë, KFOR-i do të kontrollojë për armë dhe gjëra tjera të ndaluara dhe se në pikë kamionët nuk janë të lejuar të hyjnë.

Në pikën 31, në Bërnajk, kontrollat, gjithashtu, janë shumë të rrepta, për shkak të sigurisë.

*********************************

Prishtinë, 17:09 – Sipas informatave të fundit, Qeveria e Kosovës është duke diskutuar dhe shqyrtuar mundësinë e nxjerrjes së një vendimi për të ndaluar hyrjen e mallrave komerciale në pikat kufitare G1 dhe G31.

*****************************

Prishtinë, 16:21 – Burime nga Dogana e Kosovës bëjnë të ditur se është rritur qarkullimi komercial në pikën doganore te Dheu i Bardhë, afër Kosovës Lindore dhe në pikën Merdare (G3), afër Podujevës.

*****************************

Mitrovicë, 16:17 – Dogana e Kosovës ka nxjerrë listën e orarit për oficerët doganierë deri më datën 4 gusht, 2011, në të cilën parashihet që në G1 dhe në G31 do të vendosen nga 4 oficerë me orar 24 orësh.

Masat që oficerët doganorë do t’i zbatojnë, do të jenë për të mos pranuar dhe as aplikuar mallra apo qarkullime komerciale.

Në Pikën G31 oficerët doganorë do të transportohen nga KFOR-i, ndërsa oficerët e pikës G1 do të vendosen në një bazë të KFOR-it, afër Vushtrisë, dhe nga aty do ta bëjnë ndrrimin, sipas orarit.

*****************************

Zubin-Potok, 15:59 – Doganat e Kosovës kanë vendosur rregullin e funskionimit në Pikën Kufitare Nr. 31.

Pas raportimeve të ndryshme nga media të ndryshme, rreth vendosjes ose jo të rregullit në pikat kufitare në Veri, burime të Poralit LajmeShqip.com, që i kanë parë dokumentet e Doganave të Kosovës, kanë konfirmuar se Dogana e Kosovës ka përfunduar Listën e Orarit me të cilën ka caktuar doganierët që do të shërbejnë dhe të kryejnë detyrën në pikën doganore nr. 31.

Në koordinim me KFOR-in, orari do të respektohet duke bërë ndrrimet çdo 12 orë.

Ndërkohë, për pikën nr. 1, burimet e portalit janë në pritje të konfirmimeve.

*****************************

Prishtinë, 15:17 – Portali LajmeShqip.com ka kuptuar se, në kuadër të zhvillimeve të fundit, njësiti special i Policisë së Kosovës, ROSU, dhe njësitë tjera speciale, janë urdhëruar për të qenë në gjendje gatishmërie dhe brenda pak minutash pritet të vendosen në bazën qendrore të tyre.

Për shkak të diskrecionit, baza, vendgrumbullimi dhe veprimet tjera të tyre nuk publikokohen.

*********************************

Prishtinë, 14:42 – Të gjithë deputetët i dhanë mbështetje Qeverisë së Kosovës në operacionin e saj për vendosjen e rendit në tërë territorin e Kosovës. Kuvendi i Republikës së Kosovës me 89 vota pro miratoi sot një Rezolutë përmes së cilës i jepet plotësisht mbështetje Qeverisë për vënien e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës. Kuvendi i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta ndihmojë Kosovën në këtë proces.

Në rezolutë, Kuvendi i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta ndihmojë Kosovën në këtë proces.

Rezoluta e miratuar sot në Kuvendin e Kosovës mbështet të drejtën kushtetuese të Qeverisë së Kosovës për ushtrimin e kontrollit të plotë në tërë territorin e shtetit dhe kërkon që të respektohen masat e reciprocitetit me Serbinë në të gjitha pikat doganore. (LajmeShqip.com)

*********************************

Mitrovicë, 14:01 – Rruga në drejtim të Zubin-Potokut, e njohur si Magjistralja e Adriatikut, është bllokuar në këto momente nga huliganë serbë. Ata kanë hedhur drunj dhe gjësende të tjera, për ta pamundësuar operimin e forcave të rendit në drejtim të vendosjes së kontrollit të mëtejmë në atë pjesë të Kosovës.

*********************************

Prishtinë, 13:57 – Me kërkesë të shefit të Grupit Parlamentar të PDK-ë, Adem Grabovcit, Kuvendi po debaton në seancë të jashtëzakonshme gjendjen e fundit në vend. Deputeti Grabovci prezentoi një rezolutë për miratim në të cilën kërkohet mbështetja e vendimeve të Qeverisë për veriun e vendit.

Ismet Beqiri tha se LDK dënon veprimet krimniale dhe të papruneshme të nxitura nga Serbia dhe është në favor të miratimit të rezolutës.

Glauk Konjufca nga Vetëvendosja krirtikoi Qeverinë se nuk kishte “plan me disa hapa” për të marrë nën kontroll pikat 1 dhe 31 të kufirit të Kosovës.

Për të dalë nga kjo gjendje Konjucfa propozoi pesë pika për të zgjidhur situatën në Veri.

*********************************

Jarinë, 12:39 – Pika kufitare 1 në Jarinë është mbyllur për shkak të dëmtimeve të rënda në infrastrukturë dhe rrezikut nga shembja, ka bërë të ditur KFOR-i.
Në një komunikatë për opinion, KFOR-i njofton se kamionët nuk janë lejuar të futen nëpërmjet kësaj pike, kurse automjetet e vogla private mund të kalojnë kufirin në rrezik të tyre, ndonëse do të kontrollohen nga KFOR-i dhe bastisen për armë.
Në pikën kufitare 31 në Bërnjak, njoftojnë paqeruajtësit, kontrollimet janë shumë të rrepta për shkaqe sigurie.
KFOR-i njofton se vazhdon të zbarkojë trupat e veta në tërë veriun e Kosovës për të ruajtur qetësinë, sigurinë dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes.

*********************************

Prishtinë, 12:37 – Lëvizja Vetëvendosje kërkoi nga Presidetja e vendit të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në vend, pas rritjes së tensioneve në veri. Lideri Albin Kurti tha se me sulmet në veri janë sulmuar institucionet e vendit.

Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti përshendeti aksionin e policisë së Kosovës, por ka kërkuar nga bartësit e institucioneve që të shtrëngojnë masat e sigurisë. Kurti tha se presidentja duhet të shpallë gjendje të jashëtzakonshme në vend, pas rritjes së tensioneve në veri.

*********************************

Mitrovicë, 12:27 – Në lagjen “Shipkovc”, Rruga “Gjon Buzuku”, në Mitrovicë, policia ka hasur në një veturë e tipit “Golf 2”, në të cilin janë të shkruara grafite me katër “C”, i ashtuquajturi simboli i shenjtë serbe, dhe me plot gjëra të dyshimta brenda në të.

Vetura nuk ka motor, ndërsa policia dyshon se ai mund të ketë brenda ndonjë mjet shpërthyes, kanë bërë të ditur burime të Portalit LajmeShqip.com.

Rruga në këtë pjesë të qytetit është e bllokuar, ndërkohë që janë në pritje të Njësitit K9 të policisë së Kosovës, për të verifikuar nëse aty është i montuar ndonjë mjet shpërthyes.

Në ndërkohë policia e ka siguruar automjetin që t ëmos preket nga askush apo të mos ketë qarkullim në afërsi të tij.

Në Urën e Ibrit janë vendosur pjesëtarë sllovenë të KFOR-it, me autoblinda dhe trupa të shumta. Aty nuk po lejohet kalimi i zakonshem i automjeteve, ndërsa këmbësorët iu nënshtrohen kontrolleve të rrepta. (LajmeShqip.com)

*********************************

Mitrovicë, 11:43 – Njësitë e KFOR-it amerikan që nga mëngjesi po kontrollojnë qarkullimin e udhëtarëve në Jarinjë.

Në vendkalimin kufitar në Jarinjë, pas djegies së mbrëmshëme nuk mund të kalojnë kamionët e autobusët, ndërsa serbët lokalë tashmë kanë filluar të grumbullohen në këtë pikë kufitare.

Ndërkohë Qeveria e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se gjendja në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri është në përgjithësi e qetë, por me tensione të herëpashershme.

Qeveria e Republikës së Kosovës fton të gjithë qytetarët e vendit që të kenë besim në institucionet e Republikës së Kosovës dhe në partnerët tanë ndërkombëtarë dhe të ruajnë qetësinë. (LajmeShqip.com)

*********************************

Mitrovicë, 01:55 -Forcave speciale kosovare ROSU janë duke u kthyer në bazat e tyre, ngase nuk konsiderohen të nevojshme. Veprimet e mëtutjeshme do të varen nga zhvillimet në pikat kufitare 1 dhe 31. Siguria është duke u ofruar nga KFOR.

************************************

Mitrovicë, 00:42 – Sipas burimeve të Portalit LajmeShqip.com, në minutat e para ditës së sotme (e enjte) ka filluar vendosja e rendit në pikat kufitare në veri të vendit.

Bëhet e ditur që situata ka filluar të vëhet nën kontroll, kurse forcat e amerikane dhe gjermane të KFOR-it tashmë i kontrollojnë pikat kufitare 1 dhe 31, pas një mbrëmjeje me zhvillime dramatike. Burimet thonë se ROSU nëse konsiderohet e nevojshme, është e gatshme të vendoset në mbajtjen e kontrollit në pikat 1 dhe 31.

Ka qenë gatishmëria e forcave speciale kosovare ROSU dhe ndërhyrja e vendosur komandantit të KFOR-it gjeneralit Buhler, ushtarëve amerikanë e gjermanë të KFOR-it, ajo që ka bërë që për pak orë të kthehet sërish nën kontroll situata në Pikat Kufitare 1 dhe 31.

Huliganët serbë u mposhtën. Fitoi rendi dhe paqja në veri, siç tha vetë kryeministri Thaçi, në mbrëmjen e sontme në fillim të operacionit të dytë në veri.

Ndërsa fotografia e vendosur lartë ka ardhur në adresën e redaksisë me “Përshëndetje heroike nga Mitrovica”. Edhe Redaksia e Portalit LajmeShqip.com i përshëndetë të gjiithë heronjtë e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, falënderon pjesëtarët e KFOR-it dhe e përmbyllë raportimin e sontëm me: LAVDI HEROIT ENVER ZYMBERI!

*********************************

(E PREMTE, 29 korrik) – Merdare, 00:13 – Është konfirmuar nga disa burime të policisë së Kosovës se trupat e KFOR-it i kanë futur nën kontroll të plotë Pikën Kufitare 1. Aty ka vepruar batalioni gjerman i KFOR-it dhe ka depërtuar.

Në Portën 31 janë trupat amerikane të KFOR-it, të mbështetura nga trupat franceze dhe forca të EULEX-it.

Pages: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11