Lajme Shqip Monday, 16 May 2011 15:41

Mitrovicë – Kanë filluar të hënën ndryshime në hierarkinë komanduese brenda Policisë së Kosovës që kanë të bëjnë me zonën më problematike, përkatësisht veriun e vendit.
Burime brenda policisë bëjnë të ditur se Bratisllav Kragoviq, komandant i stacionit të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, Nenad Gjuriq, komandant në Zveçan, Drazho Bozhoviq, në Zubin Potok si dhe Stefanoviq Dragan, komandant i stacionit në Leposaviq, nuk janë më në postet udhëheqëse në këto komuna, ndërkohë që me këto ndryshime synohet të goditen rrjetet kriminale në bazë të një plani operativ dhe të vendoset rendi dhe ligji në veri.
Sipas të njëjtave burime, pas këtyre ndryshimeve, atje do të nisin aksionet për goditjen e disa pikave të krimit të organizuar.
“Aksionet nuk do të jenë shumë spektakolare dhe efektive, sepse këta komandantë nuk do të largohen, por do të mbajnë poste të njëjta udhëheqëse, vetëm se në komuna tjera”, kanë thënë burimet.
Në anën tjetër, Besim Hoti, zëdhënës rajonal i policisë në Mitrovicë, ka thënë se ndryshimet në strukturën komanduese do të bëhen jo për shkak se kemi të bëjmë me ndonjë ndëshkim, por për shkak të ngritjes së performancës në punë, dhe se kjo do të ndodhë edhe nëpër qytetet tjera të vendit.