Lajme Shqip Thursday, 10 November 2011 13:25

“Shkallëzimi i situatës është në favor të skenarëve në dëm të Kosovës,” thanë drejtuesit e komunës së Mitrovicës, pas incidentit të ndodhur mbrëmë rreth orës 20:00 në Kroin e Vitakut në veri të qytetit, ku pas një përleshje ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve mbetën të plagosur me armë zjarri tre persona, njëri prej të cilëve humbi jetën më vonë si pasojë e plagëve.

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, kërkoi nga strukturat e sigurisë dhe rendit që të marrin të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e rastit.

“Strukturat përgjegjëse duhet të sqarojnë të gjithë situatën që ka ndodhur aty, në mënyrë që incidenti të mos shfrytëzohet për qëllime politike, duke pasur parasysh rrethanat aktuale në veri”, theksoi ai.

Gjithashtu, kryetari Kastrati në një takim të jashtëzakonshëm të Komitetit për vlerësimin e sigurisë, që u mbajt sot, ka apeluar te popullata që të ruajë gjakftohtësinë në mënyrë, që situata të mos precipitojë duke theksuar se, “precipitimi i situatës është në favor të atyre që duan të realizojnë skenarët politike në dëm të Kosovës”.

Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se, “ngjarja e së mërkurës ka shqetësuar të gjithë, sidomos popullatën në veri”.

Ai kërkoi nga KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës që të shtojnë praninë në lagjet me popullatë të përzier në veri, në mënyrë që të parandalohen incidentet e mundshme.

Më shumë për rastin në Kroin e Vitakut ka folur Nexhip Gashi nga Policia rajonale e Kosovës. Ai tha se “dyshohet se përleshja ka filluar pas një tentive vjedhjeje, që ka qenë në proces në një shtëpi shqiptare në atë lagje”..

Gashi theksoi se, “me urdhër të prokurorit publik janë bastisur gjashtë lokacione, tre shtëpi dhe tre banesa të banorëve shqiptarë dhe serbë në atë lagje. “Nuk ka të arrestuar as të dyshuar deri me tani”, shtoi ai.

Vdekja e një nga tre serbëve të plagosur në incidentin e mbrëmshëm në veriun e Mitrovicës, u njoftua sot në mëngjes nga burimet spitalore.

Mbrëmë, zëdhënësi rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicë njoftonte se ishin ngritur masat e sigurisë deri në shkallën më të lartë për mbajtjen nën kontroll të situatës së tensionuar pas incidentit në veri të qytetit.