Mitrovice – Një grup serbësh ka sfiduar sërish të mërkurën institucionet e Republikës së Kosovës dhe ato ndërkombëtare, duke penguar doganierët dhe policët kufitarë që përmes rrugëve tokësore të lëvizin në pikat kufitare.
Ata kanë kthyer mbrapsht rreth mesditës automjetet e EULEX-it në fshatin Rudarë afër Zveqanit, përkatësisht në vendin ku është i vendosur kryqi, në të cilat ishin edhe doganierët kosovarë.
“Përkundër insistimeve të EULEX-it të cilat kanë zgjatur rreth dhjetë minuta për t’i bindur serbët që të mundësojnë lëvizjen e automjeteve të tyre në drejtim të Jarinjës, një gjë e tillë nuk është arritur”, kanë thënë burime të Kosovapress-it, duke shtuar se doganierët pastaj janë bartur me helikopterë në Jarinjë.(K.P/LajmeShqip.com)