Lajme Shqip Monday, 05 March 2012 19:08

Mitrovicë – Serbët në veriun e Mitrovicës dhe Kosovës kanë festuar me armë, fitoren e Vladimir Putinit, në zgjedhjen presidenciale të Rusisë.

Të shtënat me armë gjatë nastës së kaluar i ka konfirmuar edhe policia e Mitrovicës. Sipas saj për fat të mirë në këto të shtëna ‘festive’ nuk ka pasuar të lënduar ndërsa policia është duke hetuar për ata persona që kanë përdorur armët e zjarrit.

Burimet theksojnë se qindra serbë në veri të Mitrovicës, kanë festuar mbrëmë fitoren e Vladimir Putinit në zgjedhjet presidenciale në Rusi.

Serbët kanë parakaluar nëpër rrugët kryesore të veriut të Mitrovicës me automjetet e tyre, duke përdorur sirenat dhe duke valvitur flamunj rusë, serbë, por edhe flamunj të Partisë Demokratike serbe të Voisllav Koshtunicës.

Festuesit janë ndalur tek sheshi “Shumadija”, në qendër të qytetit, duke brohoritur Serbia, Rusia, Putin, Putin na ndihmo etj etj., duke kënduar edhe këngë çetnike si dhe duke bërë thirrje për vdekje të shqiptarëve.

Manifestimi për zgjedhjen e ish-spiunit të KGB-së në krye të Rusisë ka zgjatur deri në orët e para të mëngjesit dhe nuk është shënuar ndonjë incident.

Vladimir Putin në vitin 2010 është shpallur qytetar nderi i komunës së Zubin-Potokut dhe Zveçanit, në shenjë respekti për përkrahjen e shtetit rus ndaj serbëve në veri të Kosovës.