Lajme Shqip Monday, 06 February 2012 16:54

Mitrovicë- Të gjitha rrugët në territorin e Komunës së Mitrovicës janë të kalueshme. Kështu thanë të hënën në takimin e Komitetit për vlerësimin e sigurisë në Mitrovicë, zyrtarët komunalë, ku qenë të pranishëm edhe përfaqësues të strukturave të sigurisë.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, tha se bora e madhe që ka rënë javën e fundit ka krijuar vështirësi në qarkullim. “Problemet më të mëdha i kanë banorët e veriut, të cilët pos me barrikada tash kanë vështirësi për qarkullim edhe për shkak të borës së madhe”.

Ai tha se Komuna është e mobilizuar për zhbllokimin e të gjithave rrugëve, duke përfshirë edhe ato në zonat më të thella. “Jemi duke bërë krejt ç’ka është e mundur që asnjë fshat dhe asnjë lagje të mos mbetet e bllokuar”.

Ai sqaroi më tej se Komuna ka ndihmuar me një kontingjent ushqimesh javën e kaluar banorëve të tri fshatrave shqiptare të Leposaviçit, të cilët janë në gjendje më të rëndë. “Jemi në kontakt të vazhdueshëm me banorët, në mënyrë që bashkërisht të tejkalojmë këtë situatë”.

Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se Komuna e Mitrovicës, përkatësisht Drejtoria për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë dhe drejtoria të cilin ai e udhëheq, janë mobilizuar për t’u përballur me këtë situatë. “Kemi angazhuar pesë kompani, të cilat janë duke punuar vazhdimisht për të mos lejuar bllokimin e rrugëve”.

Ai theksoi se tani për tani të gjitha rrugët janë të kalueshme duke përfshirë edhe ato në zonën e Shalës. “Rrugët janë të kalueshme, por ato në zonat malore me vështirësi, për shkak të erës së vazhdueshme që krijon ortekë”. Bala tha se për shkak të rrethanave specifike në veri, Komuna e Mitrovicës, është duke u angazhuar për pastrimin e rrugëve edhe në fshatrat shqiptare të Komunës së Leposaviçit dhe atyre të Zveçanit.

“Për shkak të rrethanave atje, jemi të detyruar që të marrim përsipër edhe pastrimin e rrugëve në fshatrat shqiptare të komunave veriore”. Sa i përket gjendjes së sigurisë, edhe drejtori Bala, vlerësoi problemet e mëdha që mbeten për lëvizje të lirë si rrjedhojë e barrikadave.

“Barrikadat mbeten problem i vazhdueshëm që ndikojnë në tensionimin e situatës”. Ai tha se në dy javët e fundit nuk ka pasur ndonjë incident që do të reflektohej në situatën e përgjithshme të sigurisë. Ndërsa për referendumin e paralajmëruar nga strukturat paralele serbe në komunat veriore për 14 shkurt të këtij viti, tha se është edhe një tjetër provokim, por që nuk do të ketë efekt praktik.

Në këtë takim të Komitetit për vlerësimin e sigurisë në Mitrovicë, zyrtarët policorë shtruan problemin e qenve endacakë. Thanë se ka kërkesa dhe ankesa të mëdha nga banorët, që janë të shqetësuar prej numrit të madh të qenve endacakë. Lidhur me këtë, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se një aksion për eliminimin e qenve endacakë është organizuar para ndërrimit të moteve, mirëpo prapë ka ankesa prej qytetarëve.

“Ne edhe për këtë vit kemi paraparë aksione të tilla, mirëpo duhet të bëjmë një zgjidhje që nuk bie ndesh me ligjet që nuk lejojnë eliminimin fizik të qenve”.