Lajme Shqip Monday, 30 April 2012 13:10

Prishtinë – Rritja e pranisë së KFOR-it në veri ka ndikuar pozitivisht në shtensionimin e situatës, vlerësoi sot Komiteti i Sigurisë në Mitrovicë, në një takim ku merrnin pjesë përfaqësues të pushtetit lokal dhe zyrtarë të strukturave të sigurisë. “Është vërejtur shtimi i pranisë së KFOR-it dhe pas kësaj, gjendja është shtensionuar dukshëm”, tha nënkryetari i komunës, Riza Haziri, lidhur me reagimin e strukturave të sigurisë, sidomos KFOR-it, pas kërkesës së komunës së Mitrovicës dhe qytetarëve të veriut për rritjen e sigurisë.

Sipas tij, këto struktura duhet që të jenë të përkushtuara sa i përket mbarëvajtjes së rendit atje, meqë situata është e paqëndrueshme. Në këtë kontekst, ai përmendi barrikadat ekzistuese në rrugë, të cilat tha se janë duke e rënduar tejmase jetën e qytetarëve. Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se java e fundit kryesisht ka qenë e qetë, por nuk kanë munguar provokimet e strukturave ilegale serbe në veri. Ai përmendi tentativën për mbylljen e rrugës me rërë dhe tela gjemborë për në fshatrat shqiptare të komunës veriore të Zveçanit.

Ai shtroi nevojën që strukturat e sigurisë të jenë vigjilente gjatë kësaj jave dhe sidomos me 6 maj, kur është paralajmëruar që zgjedhjet lokale serbe të mbahen edhe në Zveçan dhe Zubin Potok. “Këto zgjedhje nuk duhet lejuar që të mbahen dhe duhen masa adekuate në mënyrë që të mos ketë  incidente”, u shpreh Bala.Ndërsa, Avni Zabeli, komandant i stacionit jugor të policisë, tha se qytetarët janë të shqetësuar pas incidentit në veri ku është vrarë një qytetar në banesën e tij. “Pas atij rasti ne kemi shtuar praninë e policisë në lagjet me popullatë të përzier”, tha ai. (LajmeShqip.com)