Lajme Shqip Wednesday, 29 February 2012 18:00

Mitrovicë – Bllokada në rrugë, në shenjë proteste kundër lejimit të kalimit të automjeteve të EULEX-it, janë regjistruar në dy lokacione të ndara gjatë ditës së djeshme.

Rreth orës 12:00, një numër i personave, rreth pesëdhjetë prej tyre, banorë të Zubin-Potokut,  të tubuar në fshatin Zupç, thuhet se kanë mbajtur të bllokuar rrugën magjistrale për qarkullim në drejtim të pikës kufitare 31, në Bërnjak, për më tepër se një orë.

Dy vetura të EULEX-it, janë kthyer prapa në drejtim të Mitrovicës, pasi protestuesit ishin shpërndarë.

Një situatë e ngjashme e vendosjes së bllokadës në rrugë dhe kundërshtimit të lejimit të qarkullimit të veturave të EULEX-it, është regjistruar rreth orës 16:00 min, në veri të Mitrovicës, përkatësisht në rrugën “Anke Spajiç”.

 

Vetura e EULEX-it, është ndaluar për qarkullim në drejtim të “Kodrës së Minatorëve” përmes rrugës në afërsi të “tre rrokaqiejve”, nga grupi i pesëmbëdhjetë personave të cilët kishin vendosur një pengesë fizike në rrugë.

Vetura e EULEX-it, nuk është lejuar të qarkullojë në drejtimin e caktuar ndërsa është kthyer prapa përmes rrugës “Kolashini” në drejtim të Suhodollit.

Situatë e ngjashme e bllokimit të rrugës për qarkullim të automjeteve të EULEX-it, është regjistruar edhe sot në mëngjes rreth orës 09:00min, në afërsi të “tre rrokaqiejve” në veri të Mitrovicës. Vetura e EULEX-it, është kthyer sërish prapa përmes rrugës së fshatit Suhadoll.

Nuk është regjistruar për incidente tjera. Njësitë policore të stacioneve përkatëse ishin në vend të ngjarjes.