Lajme Shqip Tuesday, 22 November 2011 19:50

Prishtinë – Procesi i rindërtimit të shtëpive të djegura dhe të shkatërruara gjatë luftës në veri të Mitrovicës është duke vazhduar megjithë tensionet që kanë përfshirë këtë zonë.

“Rindërtimi është duke vazhduar në Kroin e Vitakut pa asnjë problem. Po ashtu për rindërtimin e shtëpive është duke u punuar edhe në lagjet e tjera të veriut, si në Lagjen e Doktorëve dhe Lagjen e Boshnjakëve”, tha drejtori për Infrastrukturën dhe Shërbimet Publike në Komunën e Mitrovicës, Rasim Veseli.

Në këto lagje me popullatë të përzier jetojnë edhe shqiptarë, të kthyer pas rindërtimit të shtëpive.

“Gjatë muajve të verës ka pasur ngadalësim, por tashmë procesi është duke shkuar mirë”, tha Veseli, duke shtuar se “në Kroin e Vitakut janë duke u rindërtuar rreth 40 shtëpi, ndërsa në gjithë veriun e qytetit deri me tani janë në proces rindërtimi më shumë se 100 shtëpi”.

Ai përmendi edhe përfundimin e projektit të asfaltimit të rrugës në Kroin e Vitakut, duke theksuar se “në atë lagje para dy vitesh ishte kundërshtuar me forcë rindërtimi dhe kthimi i banorëve shqiptarë nga grupet serbe”.