Lajme Shqip Wednesday, 11 April 2012 13:45

Prishtinë – Qytetarët shqiptarë dhe ata të komuniteteve jo-serbe të veriut të Mitrovicës kërkojnë veprime urgjente të strukturave të sigurisë në mënyrë që të parandalohet përshkallëzimi i situatës. Ata kërkojnë veprime konkrete dhe të shpejta, meqë situata është në pikën kritike pas vrasjes së Selver Haradinajt në banesën e tij, bën të ditur në një komunikatë zyra e shtypit e komunës së Mitrovicës.

Këto kërkesa përfaqësuesit e banorëve shqiptarë dhe ata të boshnjakëve që jetojnë në veri, i kanë shtruar të mërkurën në takimin e Komitetit të sigurisë të Komunës së Mitrovicës.

Përfaqësuesit e banorëve, sipas komunikatës, “janë shprehur mjaft kritik ndaj autoriteteve ndërkombëtare në Kosovë, sidomos ndaj EULEX-it dhe KFOR-it për mosveprim në veri”.

Florent Azemi, përfaqësues i banorëve shqiptarë të Lagjes së Boshnjakëve, kërkoi nga strukturat e sigurisë që të veprojnë shpejt, meqë gjendja është shpërthyese. Ndërsa, Musa Myftari, përfaqësues i organizatës “Bregu i veriut”, përveç kërkesës për rritjen e pranisë së strukturave të sigurisë, kërkoi që në lagjet me popullatë të përzier të vendosen kamera për të vëzhguar situatën.

Nexhat Uglanin, përfaqësues i komunitetit boshnjak, kërkoi nga strukturat e sigurisë që të heqin alarmin që po përdoret nga strukturat kriminale serbe për të ftuar qytetarët serbë në aktivitetet e tyre kriminale.

Në anën tjetër, zyrtarët e komunës së Mitrovicës, i kanë mbështetur kërkesat e banorëve të veriut. Kryetari i komunës, Avni Kastrati, tha se duhet vendosmëri e strukturave të sigurisë që të izolojnë grupet kriminale në veri.

Sa i përket gjendjes aktuale të sigurisë, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, theksoi se nata ka kaluar e qetë, por tensionet janë shumë të mëdha.