Lajme Shqip Saturday, 07 May 2011 10:39

Prishtinë – Rindërtimi do të shtrihet në të gjitha pjesët e veriut të Mtrovicës, tha kryetari i komunës, Avni Kastrati, gjatë vizitës në një lagje me shqiptarë të kthyer atje.

Ai, bashkë me drejtues të tjerë të komunës si dhe nga banorët, vizitoi pjesën e epërme të lagjes Kroi i Vitakut, ku ende nuk ka nisur rindërtimi i shtëpive.

Kastrati ka vlerësuar sjelljen e banorëve të veriut, të cilët, përkundër problemeve gjatë këtyre viteve, janë treguar të durueshëm dhe shumë të përgjegjshëm. “Sfidat e tyre kanë qenë të mëdha, por bashkërisht do të punojmë që gjendja të përmirësohet dhe në radhë të parë të krijohen kushtet për rindërtimin e shtëpive të tyre”, tha ai.

Drejtori për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, Rasim Veseli, tha se janë pesë kontrata të nënshkruara me firma të ndryshme për rindërtimin e rreth 50 shtëpive. “Ne presim që qeveria të na mbështesë dhe të vazhdohet edhe me shtëpitë e tjera”, tha ai

Veseli theksoi se deri tani në gjithë veriun, duke përfshirë Kroin e Vitakut, Lagjen e Doktorëve, 7 Shtatorin, Kodrën e Minatorëve dhe Lagjen e Boshnjakëve, janë rindërtuar dhe janë në proces më shumë se 100 shtëpi. “Është bërë shumë gjatë viteve të fundit, por nevoja mbetet e madhe që të vazhdohet me intensitet të shtuar, meqë shumë qytetarë të veriut janë duke jetuar në kushte të rënda”, tha Veseli.

Nga veriu i Mitrovicës, i dominuar nga serbët e strukturat e tyre paralele, gjatë dhe pas luftës janë dëbuar shumë shqiptarë dhe shumë prona të tyre atje janë uzurpuar.