Lajme Shqip Tuesday, 17 May 2011 12:07

Mitrovicë – Policia ekzekutive e EULEX-it ka arrestuar një person në pjesën veriore të Kosovës, i cili dyshohet të jetë përfshirë në krim të organizuar.

Arrestimi u krye në mëngjesin e sotëm (17 maj) në rrugën mes Zubin Potokut dhe pjesës veriore të Mitrovicës.

Personi është arrestuar në kuadër të disa hetimeve rreth krimit të  organizuar, pastrimit të parave, kontrabandës me karburante, shmangies së tatimit dhe shmangies mashtruese të taksave të importit dhe të akcizës.

Pas autorizimit nga një gjykatës i procedurës paraprake, është bërë edhe bastisja e shtëpisë  së të dyshuarit në Zubin Potok.

Për sigurinë e përgjithshme gjatë operacionit është përkujdesur KFOR-i.

Arrestimi është vazhdimësi e operacionit të EULEX-it për fuqizimin e ligjit që është kryer në Zubin Potok më 15 shkurt 2011.

Hetimet janë nën mbikëqyrjen e një prokurori të EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës.