Lajme Shqip Monday, 20 February 2012 10:45

Prishtinë – Drejtuesit e komunës së Mitrovicës kanë dënuar ashpër sulmin që ka ndodhur të shtunën ne mbrëmje në veri të qytetit më të madh verior të Kosovës ndaj një të riu shqiptar, të cilit i janë shkaktuar lëndime të rënda. Nga autoritet e sigurisë kërkohet që të identifikojnë dhe arrestojnë tre personat, të cilët të maskuar e kanë sulmuar të riun me shufra hekuri.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, tha se sulmet ndaj qytetarëve shqiptarë në veri janë vazhdë e përpjekjeve të strukturave ilegale serbe për të frikësuar popullatën shqiptare atje. “Është një përpjekje e vazhdueshme për të frikësuar shqiptarët që jetojnë në veri, në mënyrë që ata të largohen prej pronave të veta”, deklaroi ai.

Kastrati kërkoi nga autoritetet e rendit që të identifikojnë sulmuesit dhe të marrin masa ndaj tyre. “Autoritetet e rendit duhet të jenë shumë të vendosura në mënyrë që të mos të lejojnë grupe të tilla kriminale që të veprojnë lirshëm”, theksoi kryetari i komunës së Mitrovicës.

Mbrëmë rreth orës 20:30 në zonën e Tre Rrokaqiejve në veri të Mitrovicës të dominuar nge serbët e strukturat e tyre paralele,  tre persona të maskuar kanë sulmuar me shufra hekuri një shqiptar, duke i shkaktuar lëndime të rënda, ndërkohë qe ai u shtrua në spital.