Lajme Shqip Thursday, 07 April 2011 07:54

Prishtinë – Më shumë se tri vjet pas mbylljes, Gjykata e Qarkut në Mitrovicë pritet të hapet këtë muaj. Hapja do të bëhet ndërmjet datës 15 dhe 20 prill me një ceremoni zyrtare pas renovimit të saj që ka filluar katër muaj me parë me financimin e Ambasadës Amerikane në Kosovës në kuadër të programit të quajtur “Gjykatat model”.

Lajmin për hapjen e Gjykatës e kanë konfirmuar për portalin Lajmeshqip.com burime brenda Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Ndërkohë zyrtarisht nuk kanë dashur të flasin askush për shkak siç kanë thënë për të mos provokuar serbët në veri të vendit të cilët më 20 shkurt të vitit 2008 kishin pushtuar këtë gjykatë në shenjë revolte me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

Por serbët e veriut të Mitrovicës të udhëhequr nga strukturat paralele serbe pritet të tentojnë ta pengojnë hapjen e kësaj gjykate. I ashtuquajturi kryetari i Gjykatës së Lartë në veri të Mitrovicës Nikola Kabashiq që punon në sistemin juridik të Serbisë, ka thënë se serbët nuk do lejojnë hapjen e gjykatës që do të punonte në kuadër të institucioneve të Kosovës. Kabashiq ka thënë për mediat serbe se në veri të Kosovës, ku serbët janë shumicë, ekziston shqetësimi i madh se rinovimi i ndërtesës së Gjykatës së Qarkut në veri të Mitrovicës është faza e parë e instalimit të institucioneve të drejtësisë së Prishtinës.

“Çdo aktivitet e njëanshëm që në Mitrovicë të hapet e ashtuquajtura gjykatë e Republikës së Kosovës për ne është e papranueshme”, ka thënë ai. Sipas tij, asnjë zgjidhje afatgjate nuk mund të realizohet pa pëlqimin e Beogradit dhe drejtësisë lokale dhe banorëve serbë.

Aktualisht Gjykata e Qarkut e Mitrovicës punon në objektin e Gjykatës Komunale të Vushtrrisë në një ambient të papërshtatshëm për punë. Rreth 170 punëtorë të gjykatës tash e tri vjet kryejnë disa punë emergjente në objektin e Gjykatës Komunale në Vushtrri. Ky numër punëtorësh të Qarkut, përfshirë edhe të Gjykatës Komunale të Mitrovicës dhe të Vushtrrisë nuk i zë objekti i Gjykatës në Vushtrri.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci vetëm e ka konfirmuar përfundimin e punimeve në këtë objekt dhe investimet e bëra nga Qeveria Amerikane.

“Janë duke u bërë renovime të mëdha. Pritet që të përfundojnë këto renovime kah mesi i prillit dhe atëherë kanë qenë bisedat paraprake me zyrtarët e EULEX-it që kur të kryhen këto renovime do të ndodh kthimi”, ka thënë Peci.

Çështja e rifunksionalizimit të Gjykatës është propozuar si temë e veçantë në kuadër të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Mirëpo autoritetet kosovare janë zotuar se nuk do të bisedojnë për këtë temë me Beogradin.