Lajme Shqip Monday, 20 February 2012 17:00

Prishtinë- Gjatë këtij viti në Mitrovicë do të fillojnë të realizohen projekte të ndryshme, vlera e të cilave arrin rreth 50 milionë euro, ka njoftuar kreu i komunës, Avni Kastrati.

Ai e ka quajtur si një vit të fillimit të madh për Mitrovicën, duke pasur parasysh pikërisht projektet e shumta kapitale që do të fillojnë.

“Pas angazhimeve të shumta të të gjitha strukturave komunale, me ndihmën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Komisionit Evropian dhe donatorëve të ndryshëm, jemi bërë gati që vitin 2012 ta shndërrojmë në vit të investimeve të mëdha”, tha ai.

Ndër projektet më të rëndësishme që përmend kryetari Kastrati, është ndërtimi i Qendrës multifunksionale, mandej rinovimi i palestrës së sportit dhe ndërtimi i qendrës afariste. “Janë këto projekte që do ta ndryshojnë Mitrovicën dhe që do të gjenerojnë zhvillim ekonomik”, u shpreh ai.

Ai permendi me tej projektin për shëtitoren e qytetit, projektin për rritjen e kapacitetit të ë ujit, ku tashmë ka nisur puna. Një projekt tepër të rëndësishëm dhe unikal ai vlerëson projektin për  liqenin e qytetit dhe zonës rekreativo-sportive.

Kryetari Kastrati paralajmëron se po këtë vit do të nise edhe ndërtimi i Parkut Botanik, gjithashtu një projekt unikat në Kosovë. “Gjatë këtij viti do të nis ndërtimi i objekteve shkollore në Bair, Kodër të Minatorëve dhe Brabaniq. Gjithashtu, do të ndërtohet edhe objekti për shkollën e muzikës dhe shkollën speciale”, tha ai.

Një tjetër projekt që gjithashtu pritet të filloj sivjet, sipas kryetarit Kastrati, është ai për fabrikën e prodhimit të ushqimit bio (pula dhe veze). (LajmeShqip.com)