Lajme Shqip Thursday, 02 February 2012 18:01

Mitrovicë- Me qëllim pastrimin sa më të shpejtë të rrugëve nga bora, Komuna e Mitrovicës është duke angazhuar kompani shtesë, përveç ndërmarrjes “Uniteti” e cila është e kontraktuar për mirëmbajtjen e rrugëve.

Zyrtarët komunalë sqarojnë se herën e fundit kur reshjet e borës ishin shumë të mëdha, ishin angazhuar pesë kompani, ndërsa kësaj radhe janë duke punuar katër kompani për pastrimin e rrugëve nga bora.

Rasim Veseli, drejtor për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, tha se është punuar gjatë gjithë natës dhe rrugët janë të gjitha të kalueshme. Theksoi se asnjë rrugë nuk është e bllokuar as në fshatrat e thella malore të Shalës. Tha se kanë intervenuar edhe në rrugët e lagjeve veriore, si në Lagjen e Doktorëve, Kroin e Vitakut, Suhadoll etj.

“Kompanitë janë të terren duke punuar në mënyrë që rrugët të mirëmbahen dhe të mos bllokohen nga bora për asnjë moment”. Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se sikur herën e kaluar kur kishte telashe me borë, edhe kësaj radhe komuna do të merr përsipër pastrimin e rrugës në fshatrat shqiptare të Leposaviçit.

“Me ndërhyrjen tonë edhe më parë ishte pastruar nga bora rruga që lidh Bistricën, Koshtovën dhe Cerajën  me magjistralen Mitrovicë-Prishtinë. Do të jemi pranë atyre banorëve vazhdimisht”. Zyrtarët komunalë bëjnë të ditur se për shkak të motit të ftohtë, ka pasur probleme sa i përket procesit mësimor në disa shkolla në fshatrat e Shalës.

Drejtori për Arsim, Ali Bejta, tha se në Selac dhe Kaqandoll nuk është mbajtur mësimi, ndërsa në Vllahi ka pasur pak nxënës që janë paraqitur në shkollë. Ai tha se ka pasur kërkesa nga prindërit që mësimi të ndërpritet edhe në ndonjë shkollë, si në Bare e Bajgorë, me qëllim të ruajtjes së shëndetit të nxënësve. “Së bashku me prindër do të vendosim për hapat tjerë varësisht edhe prej situatës klimatike”.