Lajme Shqip Tuesday, 08 November 2011 13:30

Prishtinë – Situata e sigurisë në veri të Mitrovicës vazhdon të jetë e qetë, megjithë disa tensioneve të krijuara për shkak të vazhdimit të bllokimit të rrugëve me barrikada nga strukturat paralele serbe.

Gjatë takimit të zhvilluar sot në Komitetin për vlerësimin e sigurisë, që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës, kryetari i komunës, Avni Kastrati, tha se, “në javën e fundit nuk ka pasur ndonjë incident që do të reflektohej në situatën e përgjithshme, edhe pse bllokimi i rrugëve vazhdon të krijojë probleme për të gjithë”.

Sipas tij, strukturat paralele serbe e kanë futur popullatën në një rrugë pa krye, duke e vendosur dhunshëm nëpër barrikada.

“Të gjithë duhet ta dinë se këto do të përfundojnë, por të kriminalizuarit do të dënohen”, tha Kastrati duke shtuar se, qytetarët në veri nuk duhet të bëhen pre e grupeve kriminale dhe as e politikës mesjetare të pushtetit në Serbi që financon këto struktura.

Kryetari Kastrati, u shpreh se, “qytetarët serbë në veri duhet ta kenë krejtësisht të qartë se ato struktura nuk mund ta mbajnë peng KFOR-in me kushtëzimet e tyre”.

“Ata duhet të kuptojnë se mekanizmat ndërkombëtare dhe ato vendore kanë mundësi që për një kohë të shkurtër që të heqin barrikadat”, tha Kastrati.