Lajme Shqip Wednesday, 23 March 2011 19:36

Mitrovicë – Sipas të dhënave të një organizate rinore ‘Jazas’ me seli në veri të Mitrovicës, vetëm në këtë pjesë të qytetit ekzistojnë rreth 3 mijë shfrytëzues të narkotikëve.

Për këtë shkak, për herë të parë në veri të Kosovës, në fillim të muajit prill do të mbahet një konferencë rreth sëmundjeve që shkaktojnë varësi, të cilën do ta organizojë ‘Jazas’ dhe ku do të marrin pjesë persona të cilët gjatë jetës janë ballafaquar me probleme të tilla.

Sanja Llazareviq, kryetare e organizatës ‘Jazas’, ka thënë se është vështirë të konstatohen të dhënat e sakta për numrin e shfrytëzuesve të narkotikëve në veri të Mitrovicës, meqë deri tani nuk janë zhvilluar asnjëherë hulumtime serioze në këtë fushë.

Sipas saj, numri më i madh i konsumuesve të drogës në qytet përdorin të ashtuquajturat droga të lehta, përkatësisht marihuanë.

“Nuk ekzistojnë droga të lehta dhe të rënda, sepse droga është drogë. Megjithatë, marihuana konsiderohet ndër drogat e lehta dhe më të lira, prandaj numri i atyre që e shfrytëzojnë në qytetin tonë është më i madh. Pastaj vjen heroina dhe në fund kokaina, sepse është e shtrenjtë dhe numri i shfrytëzuesve të saj është më i vogël”, ka thënë Llazareviq.

Ajo shtoi se ‘Jazas’-i në periudhën e ardhshme do të zhvillojë hulumtim të gjerë rreth sëmundjeve të cilat krijojnë varësi, në mënyrë që të arrihet deri te të dhënat statistikore valide rreth çështjes se sa janë të rinjtë të njoftuar me dëmet që sjellin droga, alkooli dhe duhani.

Në anën tjetër, sipas mendimeve të qytetarëve në veri, të rinjtë më së shpeshti konsumojnë narkotikë nga kureshtja, por edhe nga pakënaqësia personale.