Lajme Shqip Thursday, 08 March 2012 13:55

Prishtinë – Kryeministri i Republikës së Kosovës ua ka uruar të gjitha nënave Ditën ndërkombëtare të gruas, “8 Marsi”, duke i përgëzuar ato për punën që kanë bërë dhe po bëjnë në ndërtimin e shtetit.

Ai ka thënë se në këtë ditë nuk ka se si të mos kujtohen edhe emrat e nënave dhe grave shqiptare që dhanë aq shumë për vendin, që nga mbretëresha Teutë, motrat Qiriazi, Shotë Galica, Xhevë Lladrovci, e deri te emblema e gruas shqiptare, Nënë Tereza. Me këto fjalë Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e ka nisur mbledhjen e Qeverisë, duke ua përcjellë nënave ngrohtësisht urimin për ditën ndërkombëtare të tyre, “8 Marsi”.

Kryeministri ka thënë se kjo ditë është një ditë e rëndësishme për nënën dhe gruan shqiptare, si pjesë e shoqërisë së shëndoshë dhe gjithë botës demokratike.

“Fillimisht me rastin e ‘8 Marsit’ t’ju uroj ditën ndërkombëtare të gruas dhe t’i përgëzoj për punën e tyre të suksesshme dhe të shkëlqyer që kanë bërë. Dita ndërkombëtare e gruas ‘8 Marsi’ është një festë e rëndësishme për gruan dhe nënën si pjesë e shoqërisë së shëndoshë në tërë botën demokratike. Përgjatë gjithë historisë, roli i nënës dhe i gruas ka qenë i domosdoshëm për krijimin e vlerave të përgjithshme shoqërore, kulturore, politike dhe jetësore’, ka thënë ai.

Thaçi më tej ka thënë se në këtë ditë të madhe nënat nuk ka se si të mos përmenden edhe emrat e çmuar të nënave e grave shqiptare që dhanë aq shumë për vendin.

“Sot në Republikën e Kosovës nuk ka si të mos kujtohen emrat e grave që lanë gjurmë të ndritura të pashlyeshme dhe të respektuara përjetësisht në historinë e kombit tonë prej mbretëreshës Teutë, motrave Qiriazi, Shotë Galicës, Xhevë Lladrovcit, grave që qëndruan për vite të tëra në burgje për pavarësinë e Kosovës dhe të gjitha atyre që ranë në istikamet e luftës në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se sot në të gjitha institucionet e shoqërisë në vend gruaja është duke zënë vendin e merituar dhe duke dhënë kontribut në ndërtimin e shtetit. Kryeministri shprehu përkushtimin se Qeveria do të vazhdojë në ndërmarrjen e hapave konkret që ky përfaqësim të jetë edhe më meritor. /Kosovapress/