Lajme Shqip Tuesday, 10 May 2011 17:44

Prishtinë – Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin e BE-së për Zgjerim, Pierre Mirel, shprehu sot në Prishtinë gatishmërinë për vazhdimin e asistencës për Kosovën nga Komisioni Evropian dhe ka rikonfirmuar qëndrimin e qartë të KE-së për perspektiven evropiane të Kosovës.

Në një takim me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, Pierre Mirel rikonfiromoi gatishmërinë e KE-së për mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve në të ardhmen, në mes të qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të BE-së. Në këtë takim, u bë e ditur së kryetari i Komisionit Evropian, José Manuel Barroso, së shpejti do të vizitojë Kosovën, njoftoi zyra e shtypit e Ministrisë së Drejtësisë.

Bëhet e ditur se në këtë takim u bisedua për veriun e Kosovës, për arritjet e Ministrisë së Drejtësisë, bashkëpunimin me EULEX-in dhe për procesin e liberalizimit të vizave.

Nga ana e tij ministri Kuçi falënderoi drejtorin Mirel për përkrahjen e deritanishme të Komisionit Evropian për Kosovën dhe u shpreh se institucionet e Kosovës janë duke punuar me përkushtim të madh në përmbushjen e detyrave që kanë dalë nga Raporti i Progresit i vitit 2010, në mënyrë që Raporti i Progresit i vitit 2011 të jetë sa më pozitiv.