Lajme Shqip Thursday, 06 June 2013 11:43

Prishtinë – Me 74 vota për, katër kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Rezolutën për Luginën e Preshevës.

Rezoluta, inicues i së cilës ishte deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës , Lutfi Haziri, është një mbështetje për shqiptarët e Luginës dhe përpjekjet e tyre për realizimin e të drejtave të tyre në përputhje me konventat ndërkombëtare.

Me anë të kësaj Rezolute, deputeti Haziri ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të obligojë Qeverinë të hapë dy zyra për qytetarët e Luginës, njërën në Prishtinë kurse tjetrën në Gjilan. Nëpërmjet Rezolutës, gjithashtu kërkohet që të rritet bashkëpunimi mes institucioneve të Kosovës dhe shqiptarëve të Luginës.

Kjo Rezolutë u shty për seancën e sotme, pasiqë në mbledhjen e kaluar të Kuvendit, mungoi numri i nevojshëm i deputetëve për ta fuqizuar atë.