Lajme Shqip Wednesday, 26 September 2012 11:42

Tiranë  -Qeveria vendosi sot të miratojë në parim marrëveshjen bilaterale të Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë, për projektin e gazsjellësit TAP.

Në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri Sali Berisha theksoi se Shqipëria i ka të gjitha potencialet për të ndërtuar një rrjet gazsjellësi modern.

Kryeministri e cilësoi bashkëpunimin mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë për projektin TAP si më të madhin të 20 viteve të fundit, i cili do të sjellë gazin nga fusha e “Shah Denize” nëpërmjet territorit të Shqipërisë dhe Greqisë në Itali dhe Europën perëndimore. “Ky rend dite ka disa ligje dhe vendime të një karakteri historik për Shqipërinë dhe rajonin. Sot ne vendosim të miratojmë në parim marrëveshjen bilaterale të Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë, për projektin më të madh të këtyre 20 viteve të fundit, për të mos thënë këtyre 100 viteve të fundit në rajon, që është gazsjellësi transballkanik, që do të sjellë gazin e detit Kaspik, nëpërmjet territorit të Turqisë, Greqisë, Shqipërisë, në Itali dhe në Europën Perëndimore”, tha Berisha.

“Shqipëria ka disa avantazhe të mëdha sepse nuk do të jetë vetëm një vend tranzit, por vendi disponon depozita natyrore të mëdha për depozitimin e gazit. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për t’u bërë një qendër e fuqishme e shpërndarjes së gazit drej Gadishullit Apenin, por edhe veriut të Ballkanit. Shqipëria ka mundësi ta përdorë gazsjellësin në një rrjet gazifikimi për zonat dhe për të garantuar për qytetetarët ngrohje dhe gatim me kosto të ulët. Shqipëria ka të gjitha mundësitë të ndërtojë termocentrale gazi dhe të bëhet kështu një eksportues i madh i energjisë elektrike”, theksoi kreu i qeverisë.

Ndërsa e ka cilësuar projektin e gazsjellësit TAP si shumë të rëndësishëm për vendin, Kryeministri Berisha theksoi se do të bëhet gjithçka që ky projekt të përfundojë në fillim të mandatit të 2017-ës. “Kjo marrëveshje që miratohet në parim është frut i një pune intensive disa vjeçare dhe të treja vendet në interesin më të mirë kombëtar janë angazhuar të bëjnë gjithçka sapo vitin e ardhshëm të merret vendimi përfundimtar. Shanset janë pothuajse përfundimtare sepse ky është projekti më fizibël dhe më ekonomiku nga të gjitha projektet e tjera. Ndaj dhe është një moment i veçantë pasi në Shqipëri do të investohen 2 miliardë euro. Qeveria angazhohet me një seri grupe punesh për të zhdukur çdo pengesë burokratike dhe për të qartësuar çdo problem pronësie në mënyrë që gazsjellësi të ndërtohet në një kohë rekod dhe të inaugurohet në prag të mandatit tjetër të vitit 2017”, tha Kryeministri Berisha.(LajmeShqip.com)