Lajme Shqip Thursday, 02 February 2012 12:00

Tiranë – Kuvendi miratoi të enjten me votim të fshehtë heqjen e imunitetit të tre deputetëve të Partisë Socialiste, Taulant Balla, Tom Doshi dhe Besnik Baraj, pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për dhënien e autorizimit për ndjekje penale ndaj tyre, lidhur me rolin në ngjarjet e 21 janarit 2011.

Me 118 vota pro Kuvendi votoi për heqjen e imunitetit të deputetit Balla, me 116 vota votoi heqjen e imunitetit të deputetit Doshi dhe me 107 vota votoi heqjen e imunitetit të deputetit Baraj.

Sipas raportit të paraqitur nga Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve lidhur me kërkesën në fjalë përfaqësuesit e të dy palëve u shprehën pro kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme, për dhënien e autorizimit për ndjekjen penale ndaj tre deputetëve.

Këta të fundit në fjalimet e veçanta që mbajtën në seancë u shprehën të gatshëm për lënien e imunitetit të tyre parlamentar, duke theksuar se janë të hapur për të bashkëpunuar me hetimin e organit të akuzës për 21 janarin.