Lajme Shqip Friday, 09 December 2011 12:58

Tiranë – Miratohet me pëlqimin e opozitës dhe mazhorancës deklarata e përbashkët BE- Shqipëri, në takimin e katërt ndërparlamentar për Stabilizim-Asociimin Shqipëri-BE. Thelbi i rezolutës, së nënshkruar me konsensus të plotë mes palëve, është bashkëpunim mes forcave politike me një qëllim të përbashkët për integrimin e vendit në BE.

Takimi u zhvillua në ambientet e hotel “Rogner” në kryeqytet, ndërsa diskutimet, që zgjatën rreth 4 orë, u fokusua në dy çështje kryesore, qëndrimin e Shqipërisë në marrëdhëniet me BE-në dhe reformat në parlamentin shqiptar.

Eurodeputetët përshëndetën konsensusin politik mes partive politike shqiptare dhe theksuan domosdoshmërinë e ndërmarrjes së reformave për të mos humbur trenin e radhës për në BE. Sipas eurodeputetëve, konsensusi mes palëve është një sinjal i mirë për vendin. Në mbyllje të takimit është diskutuar se takimi i radhës do të jetë pas gjashtë muajsh, në Bruksel.

Boshtinaru: Kujdes korrupsionin

Eurodeputeti Viktor Boshtinaru, u shpreh me nota kritike, për klasën politike të Shqipërisë sa i përket angazhimit të saj për integrimin e vendit. Boshtinaru vlerësoi se Shqipëria ka humbur dy vjet dhe megjithëse ka një rol kryesor sa i takon Ballkanit Perëndimor, Shqipëria është e fundit sa i takon integrimit.

“Kam një pyetje, nëse të gjithë e mirëpresin. Nëse jeni kaq mirë pse Shqipëria është kaq vonë, pse keni humbur dy vjet?! Duket se Këshilli i BE, do ta shtyjë statusin kandidat deri në mars për disa vende të Ballkanit, pasi kanë bërë më mirë se Shqipëria. Vendi juaj është ende duke pritur. Pra është një problem dramatik, pse kaq vonë?! Pyetja tjetër a do jetë i qëndrueshëm ky proces, jo vetëm me fjalë të mira por edhe duke zbatuar çdo gjë”-tha eurodeputeti.

Boshtinaru solli në vëmendje akuzat që sipas tij disa politikanë shqiptarë i kanë bërë europarlamentarëve duke thënë se janë sjellur si armiq të Shqipërisë. Bishtinaru theksoi se në progres raportn e BE pasqyrohen të gjitha shqetësimet.

“Ajo c’ka Europa kërkon nga Shqipëria, është përmendur në progres raport, bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës. Mirëpres hapat e fundit dhe ju lutem që të bëni gjithcka me bindje dhe efektivitet. Është thelbësor elektorati, ndryshimi të jetë i mirë që të ndalohet që zgjedhjet e tjera të vendosen në pikëpyetje dhe të konsideroht si të vjedhura”- apeloi Boshtinaru.

Një shqetësim tjetër që shprehu europalamentari , të cilin e kishte marrë edhe gjatë takimit me presidentin Bamir Topi ishte hartimi i një kodi elektoral që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme. “Duhet vendosur infrastruktuara e duhur për të zbatuar ligjin elektoral që zgjedhjet e tjera të jenë të lira dhe të ndershme”,- theksoi Boshtinaru.

Boshtinaru e vuri theksin fort tek ekzistenca e korrupsionit në vend, që sipas tij është më shumë i dukshëm në sistemin gjyqësor. Europarlamentari solli në vëmendje gjobat e vendosura ndaj mediave të lira të cilët transmetojnë skandale.

“Pse është kaq i lartë korrupsioni dhe ndërhyrja në gjyqësor?! Së pari nivelin e lartë të korrupsonit, akuzat asnjë nga cështjet nuk janë zgjidhur. E dini shumë mirë, por problemi vijon të mbetet. Procesi për të qenë konsistent është të kemi fakte se kjo nuk është proces ping-pongu mes pozitës dhe opozitë. Një TV që publikoi një video skandal iu vendos një gjobë e madhe, si të besojmë një në luftën kundër korrupsionit?! Miratoni një kod per të cuar Shqipërinë drejt integrimit”-tha ai.

Fajon: Zgjerimi po bëhet i ndërlikuar

Eurodeputetja Tania Fajon u shpreh se kërkesat e BE, për integrim po bëhen gjithmonë e më shumë të rrepta, ndërkohë që zgjerimi po bëhet gjithmonë e më shumë i ndërlikuar.

“Shpresoj që sot liderët në Bruksel pavarësisht krizës të dërgojnë mesazhe të mira për Shqipërinë. Jemi duke diskutuar çdo ditë mekanizmin e ri, të propozuar nga PE për pezullimin e përkohshëm të vizave. Shumë gjëra janë në rrezik, si marrëveshja Shengen dhe mbështetja për regjimin e vizave në vendet e treta. Situata është kritike që kërkon angazhim nga ana jonë, dhe nga vendet e Ballkanit Perëndimor që të mos pengohen të udhëtojnë në BE. Zgjerimi po bëhet i ndërlikuar. Kërkesat janë shumë të larta”- theksoi Fajon.

Mungesa e lirisë të mediave në vend, sipas saj është një nga çështjet kryesore që politka duhet të shikojë, pasi ajo është shtylla kryesore që monitoron punën e institucioneve.