Lajme Shqip Thursday, 04 July 2013 23:18

Prishtinë – Me rastin e 237 vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është organizuar një koncert në Sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë. Në këtë koncert kanë qenë të pranishëm edhe presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, e cila ka uruar popullin amerikan për këtë ditë dhe gjithë qytetarët e Kosovës, duke e vlerësuar si një ditë të madhe edhe për Kosovën. Gjithashtu edhe ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracy Ann Jacobson ka uruar stafin e ambasadës dhe qytetarët e Kosovës për këtë ditë. Në koncert së pari kanë përformuar Garda e shtetit të Ioëa, për të vazhduar më pas me përformancën e këngëtarëve të estradës së vendit tonë.

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga ka thënë populli i Kosovës dhe populli amerikan kanë një miqësi të veçantë dhe për këtë ajo ka thënë se kjo miqësi do të jetë e përjetshme.

“Urime dita e pavarësisë së SHBA-së. Le të gëzojmë së bashku populli i Kosovës dhe populli Amerikës këtë ditë të veçantë që kemi vendosur një miqësi të veçantë të përjetshme në mes të popullit të Kosovës dhe popullit amerikan. Republika e Kosovës i shpreh përgëzimet më të sinqerta popullit amerikan që ka qenë gjithmonë pranë nesh, vazhdon dhe do të jetë në proceset e shtetndërtimit dhe të demokracisë dhe në avancimet e mëtutjeshme të rrugës tonë euroatlantike. SHBA janë vendi i demokracisë është vend i lirisë, i respektimit të të drejtave të njeriut. SHBA janë promotor i paqes dhe stabilitet, janë garantues i lirive dhe popujve”, ka deklaruar Jahjaga, raporton KosovaPress.

Ndërkohë ambasadorja amerikane në Kosovë, Trace Ann Jacobson ka thënë ndihet mirë që po e feston këtë ditë në Kosovë.

“Kjo është një ditë e veçantë jo si ambasadore, por si qytetare që po e festojmë ditën e veçantë atë të pavarësisë. Unë jam shumë e nderuar që me ju do të ndajmë muzikën tuaj dhe të Gardës së Ioëa. Në emrin tim dhe të ambasadës ju uroj 4 korrikun pavarësinë e Amerikës. Faleminderit”, ka thënë Jacobson.

Një fjalë të shkurt ka mbajtur edhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Avdullah Hoti, i cili edhe ai në emër të qytetarëve ka uruar ambasadoren amerikane për këtë ditë.

“Jemi mbledhur sonte këtu për të festuar pavarësinë e SHBA-së për të festuar. Më lejoni në emrin tuaj të uroj ambasadoren e Amerikës për këtë ditë të madhe. Më lejoni të uroj gjithë stafin e ambasadës që kanë vendosur të festojnë këtë ditë në Kosovë”, është shprehur Hoti.

Ndryshe në këtë koncert kanë përformuar Garda e shtetit të Ioëa, ku pas tyre kanë përformuar këngëtarët e ndryshëm të vendit.

Koncerti është organizuar nën patronatin e Komunës së Prishtinës.

Shumë liderë të vendit kanë dërguar telegram urimi lidershipit amerikan, me rastin e kësaj dite.