Lajme Shqip Thursday, 13 June 2013 14:47

Prishtinë – Instituti Demokratik i Kosovës ka organizuar një konferencë për media në të cilën janë prezantuar disa probleme në procesin e monitorimit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Merita Mustafa, Menaxhere e Projektit për monitorimin e prokurimit publik në KDI, ka thënë se KDI po hasë në vështirësi dhe kufizime në monitorimin e prokurimit publik në Ministrinë e Shëndetësisë , për arsye se kjo ministri qëllimshëm apo dhe për shkak të burokracisë është duke i shkel të gjitha afatet kohore për ofrimin e qasjeve në dokumente, Ligjin për Qasje në Dokumente Publike dhe Ligjin për Prokurimin Publik në Kosovë, ligje të cilat njëkohësisht janë mekanizma që garantojnë transparencë të proceseve tenderuese. Madje, edhe për kërkesat të cilat janë miratuar nga MSH, qasja është e pjesshme, apo selektive pasi ofrohen vetëm një numër i caktuar i dokumenteve me të cilat vështirësohet dhe kufizohet transparenca dhe llogaridhënia për shpenzimin e parasë publike në këtë sektor.

Ministria e Shëndetësisë gjithashtu ka formuar një komision të kundërligjshëm për shqyrtimin e kërkesave për qasje në dokumente zyrtare, komision i cili e burokratizon dhe kufizon të drejtën për qasje në dokumente. Ligji përkatës ka garantuar qasje të lehtë dhe efektive për të gjitha dokumentet të cilat nuk janë të klasifikuara apo sekrete dhe nuk ka paraparë krijimin e asnjë lloj super mekanizimi për të shqyrtuar nëse qytetarët kanë të drejtë ose jo t’i qasen dokumenteve.

Një problem tjetër i ngritur nga KDI ka qenë edhe moslejimi i monitorimit të komisioneve për vlerësimin e ofertave për tenderët me vlerë të madhe. KDI disa herë ka bërë kërkesë në Ministrisë së Shëndetësisë për t’i lejuar qasje në cilësinë e vëzhguesit, mirëpo kjo kërkesë është injoruar tërësisht me arsyetimin se për këtë çështje duhet vendim i Ministrit apo Sekretarit të Përhershëm të Ministrisë. Duke u nisur nga të gjitha këto fakte të cekura më lart dhe nga vlera e dokumenteve të cilat kanë të bëjnë me tender që kalojnë dhjetëra miliona euro, KDI vlerëson se Ministria e Shëndetësisë nuk është transparente dhe duke vështirësuar qasjen ne dokumente të garantuar me ligj, pengon marrjen dhe analizimin e dokumenteve të cilat potencialisht mund të provojnë keq menaxhimin e parasë publike.

Në anën tjetër Isuf Zejna, hulumtues në këtë projekt, ka folur për problemin e afateve të shkurtra për dërgimin e mallrave, të cilën Ministria e Shëndetësisë u imponon kompanive private. Duke pasur një qasje të tillë ajo po i ndëshkon shumë kompani me gjoba të larta për vonesat në sjelljen e barnave në institucionet shëndetësore. Duke imponuar afate prej 30 ditësh konsiderojmë se janë afate të shkurtra për kompanitë dhe kompanitë hasin në vështirësi për të bërë furnizimin e duhur në kohën e duhur.

Në vitin 2012, Ministria e Shëndetësisë ka dënuar gjithsejtë 18 operatorë ekonomik me gjithsejtë 38, 028.00 € për gjithsejtë 1375 ditë vonesë për porosi të veçanta. Gjendje edhe më e keqe ishte në vitin 2011 ku operatorë ekonomik të gjobitur kanë qenë 22 operatorë ekonomik me gjithsejtë 105,113 €.

Si pasojë e kësaj situate shpeshherë ndodhë që spitalet dhe institucionet tjera po mbesin pa barna, e në anën tjetër pacientët po drejtohen drejt barnatoreve private ku po u shiten barnat, të cilat nuk kanë banderola dhe vijnë nga rrugë ilegale të tregut për barna. Në këtë formë, ka shtuar Zejna, po i hapet rrugë tregut ilegal të barnave, fenomen ky që ka marrë hov në Kosovë.

KDI i bënë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe posaçërisht Ministrit Agani që të zhbllokoj ngërçin e krijuar vitin e fundit në këtë ministri, për t’i lejuar rrugë monitorimit të këtij sektori për të cilin edhe vet ministri ka konstatuar se është shumë i korruptuar. Përmirësimi i gjendjes në këtë ministri nuk mund të bëhet duke qenë të papërgjegjshëm dhe jo transparentë nga monitorimi i OJQ-ve apo dhe qytetarëve të interesuar për të ju qasur dokumenteve në këtë ministri.

Komisioni për shqyrtimin e kërkesave për qasje në dokumente zyrtare duhet të shpërbëhet sa më parë, në mënyrë që qasja në dokumente të jetë në përputhje me Ligjin për qasje në dokumente publike.

Afatet e dorëzimit të mallrave (liferimit) duhet të zgjaten nga 30 ditë në 45 për barna dhe nga 45 në 60 ditë për materialet e tjera shpenzuese, për të siguruar që planifikimet e shpenzimit të barnave dhe materialeve janë në përputhje me mundësitë reale të importimit të barnave.