Lajme Shqip Monday, 02 April 2012 14:15

Prishtinë – Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, vizituan sot drejtorinë rajonale të Policisë Kufitare në Luzhan të Podujevës.

Ministria e Brendshme kosovare njoftoi pak më parë se ministri Rexhepi, bisedoi me zyrtarët e policisë Kufitare për zhvillimet e fundit dhe u interesua për kushtet e punës së Policisë Kufitare, patrullimet në këtë pikë kufitare dhe me shqetësimet që kanë gjatë kryerjes së detyrave të tyre.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, inkurajoi zyrtarët e Policisë Kufitare që të kryejnë punën e tyre sipas mandatit që kanë, në ruajtje të rendit dhe ligjit dhe në respektim të tërësisë territoriale, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Gjatë kësaj vizite Ministri Rexhepi dhe drejtori Maxhuni qëndruan edhe në pikën kufitare në Merdare, për të parë nga afër punën që po zhvillohet në këtë pikë kufitare.

Ministri Rexhepi pa nga afër kolonat e gjata të qytetarëve të Kosovës, që po prisnin në anën serbe të kufirit. “Kërkojmë nga Bashkimi Evropian që të bëjë presion ndaj palës serbe në mënyrë që ata të kryejnë obligimet e tyre karshi marrëveshjes për lëvizje të lirë të arritur në Bruksel.

Është e patolerueshme që qytetarët tanë që vijnë nga perëndimi të mbahen me orë të tëra në kufi, për shkak të neglizhencës së qëllimshme të zyrtarëve serb. Kërkojmë që ky keqtrajtim i qytetarëve tanë të marrë fund”, tha ministri Rexhepi.