Lajme Shqip Thursday, 05 April 2012 12:34

Prishtinë – Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, priti në takim një delegacion parlamentar nga Hungaria, anëtarë të Komisioneve të Mbrojtjes dhe Sigurisë të Kuvendit Kombëtar Hungarez, të kryesuar nga Csampa Zsolt, nënkryetar i Komisionit të Mbrojtjes.

Gjatë këtij takimi, ministri Rexhepi i njohu parlamentarët hungarezë me objektivat e Ministrisë së Punëve të Brendshme në sundimin e rendit dhe ligjit, me fokus luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe bashkëpunimin e Policisë së Kosovës me Policinë e Hungarisë, të cilët veprojnë në kuadër të EULEX-it.

Ministri Rexhepi theksoi nevojën e thellimit të bashkëpunimit në mes të dy shteteve, në mënyrë që të jenë sa më të suksesshëm në luftimin e krimit të organizuar dhe krimit ndërkombëtarë sa i përket pjesës së Ballkanit.

Nënkryetari i Komisionit të Mbrojtjes të Kuvendit Kombëtar të Hungarisë, Csampa Zsolt, bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve e cilësoi të një rëndësie të veçantë, posaçërisht atë sa i përket bashkëpunimeve për ngritjen e nivelit të luftimit të krimit të organizuar dhe shfaqi gatishmërinë për të ofruar përvojën hungareze në këtë drejtim.