Lajme Shqip Tuesday, 29 November 2011 11:54

Prishtinë-Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, u nis sot për në Nju Jork, ku në seancën e Këshillit të Sigurimit do të diskutohet raporti tremujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Ban ki Moon për gjendjen në Kosovë.

Sipas MPJ-së kosovare, ministri Hoxhaj do të paraqesë në këtë seancë zhvillimet pozitive në vend në procesin e rëndësishëm të konsolidimit të shtetësisë dhe në transformimin ekonomik dhe social.

Një pjesë e fjalimit të ministrit Hoxhaj do të përqendrohet edhe në vendosmërinë e qeverisë së Kosovës për vendosjen e sundimit të ligjit në gjithë territorin e shtetit.   

Ministri Hoxhaj po ashtu do të kërkojë nga të gjithë përfaqësuesit e shteteve anëtare të OKB-së, që të rrisin presionin mbi Serbinë për shpërbërjen e plotë të strukturave kriminale, si parakusht për stabilitet dhe paqe në Ballkan.     

Gjatë qëndrimit në Nju Jork ministri Hoxhaj do të takohet me përfaqësues të shumë shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me diplomatë dhe personalitete të jetës publike.