Lajme Shqip Saturday, 05 November 2011 18:23

Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtëme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë qëndrimit në Pragë ku ka marrë pjesë në punimet e takimit të Grupit të Vishegradit (V4), me ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, ka zhvilluar një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Polonisë, Radoslaw Sikorski, shteti i të cilit mban kryesimin e Bashkimit Evropian.

MPJ kosovare njofton sot se me këtë rast, Ministri Hoxhaj ka falënderuar Ministrin Sikorski për mbështetjen që Polonia po i jep Republikës së Kosovës në proceset integruese.

Gjatë takimit, dy ministrat kanë biseduar për thellimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve, duke bërë të ditur se gjatë vitit të ardhshëm pritet të ketë një intensifikim më të madh të këtyre marrëdhënieve, me ç’rast pritet të nënshkruhen disa marrëveshje bilaterale në fushën e ekonomisë, tregtisë, arsimit dhe kulturës.

Ministri polak, Radoslaw Sikorski ka siguruar Ministrin Hoxhaj se shteti i tij edhe më tutje do të mbështes ndërtimin e shtetit të Kosovës në të gjitha fushat.

Nga ana tjetër, Ministri Hoxhaj ka kërkuar nga Sikorski mbështetjen e Polonisë në procesin e integrimeve euroatlantike, me theks të veçantë në procesin e liberalizimit të vizave dhe vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me institucionet e BE-së.

Ministri Hoxhaj po ashtu e ka informuar atë për gjendjen në veri të Kosovës. Ai ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës është kundër përdorimit të dhunës, kundër status-qos dhe konfliktit të ngrirë dhe se zgjidhja e vetme mbetet implementimi i plotë i Pakos Ahtisaari, që do të mundësonte integrimin e kësaj pjese në institucionet e Kosovës.

“Polonia është partner shumë i rëndësishëm i Kosovës së pavarur dhe ky shtet me prezencën e tij në kuadër të KFOR-it të dhe EULEX-it po kontribuon për stabilitetin dhe paqen në rajon”, tha Ministri Hoxhaj.

Hoxhaj ka takuar edhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Hungarisë, János Martonyi. Gjatë takimit Ministri kosovar Hoxhaj ka falënderuar shtetin hungarez për kontributin e deritashëm në proceset shtetndërtuese në Kosovë, duke kërkuar që Hungaria të vazhdoj përkrahjen e saj të fuqishme në avancimin e proceseve integruese të Kosovës në strukturat euroatlantike.

Hoxhaj, gjithashtu është takuar edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Samuel Zbogar, i cili ka premtuar përkrahjen e mëtutjeshme të Sllovenisë për progresin në Kosovë dhe për avancimin e agjendës evropiane.